Kanë kaluar 40 ditë që nga ndarja e parakohshme nga jeta e ish-deputetit të Partisë Demokratike, Gerti Bogdani. Përmes një postimi prekës në rrjetet sociale, kunati i tij, Arbër Çepani, ka kujtuar Bogdanin, duke shprehur trishtimin që ai nuk është më mes tyre.

“40 ditë pa ty, shoku im… Akoma shpresoj çdo mëngjes të të gjej tek tavolina jonë dhe të pijmë kafen bashkë, për të folur për çdo gjë që lamë në gjysmë,” shkruan Çepani, duke e kujtuar Bogdanin si një mik të shtrenjtë dhe një njeri të dashur.

Gert Bogdani, i cili u nda nga jeta në moshën 44-vjeçare, pësoi një arrest kardiak teksa ndodhej në një takim me disa miq në një hotel në bulevardin “Dëshmorët e Kombit.”