Në muajin shtator, lajmi për divorcin mes aktorit Arben Derhemi dhe bashkëshortes së tij, Iva Korumi, u përhap me shpejtësi, edhe pse asnjëra palë nuk e kishte komentuar zyrtarisht. Asokohe, u tha se shkak ishte bërë tradhëtia e aktorit.
Së fundmi, aktori ka thyer heshtjen, duke konfirmuar në një intervistë se është ndarë nga bashkëshortja që dy vite e gjysmë më parë.
Derhemi u shpreh se kishte zgjedhur të mbante jetën private larg mediave, ndaj shpërthimi i lajmit e kishte habitur.
“Është e gjitha një gënjeshtër e madhe sepse unë kam kohë që jam ndarë, kam gati dy vjet e gjysmë," tha ai, duke e cilësuar thashethemin si produkt të një “makinerie të çuditshme”.
Aktori theksoi se vendimi për t’u ndarë ishte marrë nga të dyja palët dhe se nuk kishte asgjë të pazakontë në këtë proces.
“Nuk e kuptoj, e gjitha ishte si me urdhër, e gjitha ishte e makinuar nga një makineri e çuditshme thashethemi, maskarallëku që nuk më bën shumë përshtypje sepse kam dëgjuar shumë gjëra për miq, shokë të mitë të cilët i njoh shumë mirë, i di shumë mirë. Por këtë radhë ishte shumë e çuditshme sepse e kam mbajtur larg jetën time private, larg televizionit, larg revistave, larg gjithçkaje sepse është e imja dhe e atyre që kanë qenë rreth meje. Kuptohet që ish-bashkëshortja ime ka të drejtën e vet që të revoltohet për një gjë të tillë sepse duam të mbajmë diçka jashtë kësaj. U vendos një moment që ne të ndahemi dhe kaq, s’ka asgjë të çuditshme.”