Jennifer Lopez dhe Ben Affleck kanë arritur një marrëveshje divorci, vetëm pesë muaj pasi aktorja e njohur e "Hustlers" paraqiti kërkesën zyrtare për divorc. Sipas dokumenteve të siguruara nga 'E! News' më 6 janar, dyshja kanë rënë dakord për ndarjen e pasurisë së krijuar gjatë martesës dyvjeçare dhe kanë vendosur të mos kërkojnë mbështetje financiare nga njëri-tjetri.

Në marrëveshje, Jennifer do të rikthejë mbiemrin e saj të mëparshëm, duke hequr mbiemrin Affleck, të cilin e kishte marrë pas martesës së tyre në Las Vegas në vitin 2022.

Kërkesa për divorc ishte paraqitur në gusht 2024, pikërisht dy vite pas ceremonisë së tyre martesore, me Jennifer që deklaroi si datë të ndarjes së tyre prillin e të njëjtit vit. Gjatë muajve të fundit, thashethemet për përfundimin e martesës së tyre ishin intensifikuar pas mungesës së Jennifer në Met Gala 2024 dhe një postimi të saj në Instagram për sfidat e marrëdhënieve.

Ti nuk mund të ndërtosh një marrëdhënie me dikë që nuk është i lidhur me veten,” lexohej në një postim që Jennifer kishte pëlqyer.

Pas divorcit, Jennifer ka qenë e hapur për vështirësitë e saj emocionale dhe për vendimin për të marrë kohë për veten. “Kam mësuar se duhet të jem e plotë në vetvete, nëse dua diçka që është më e plotë,” tha ajo për Interview në tetor 2024.

Ndërkohë, Jennifer është fokusuar te vetja dhe te fëmijët e saj, Max dhe Emme, duke vendosur të shijojë një periudhë të re të jetës si beqare. “Nuk jam duke kërkuar askënd,” tha këngëtarja e njohur.

Edhe pse të ndarë, dyshja janë parë së bashku disa herë gjatë vitit të fundit për aktivitetet familjare. Në dhjetor, ata u ribashkuan për një darkë festive në Los Angeles me fëmijët e tyre dhe anëtarë të familjes.

Për Jennifer, ky kapitull i ri ka qenë një periudhë sfiduese, por gjithashtu një mundësi për rritje personale. “Ishte koha më e vështirë e jetës sime, por gjithashtu më e mira sepse munda të punoja për veten,” përfundoi ajo.