Don Xhoni është përfshirë në një incident që mori vëmendjen e menjëhershme të mediave dhe rrjeteve sociale. Por, ndryshe nga sa mund të dukej në fillim, ngjarja ka rezultuar të jetë një keqkuptim i sqaruar dhe pa pasoja për artistin.
Në fshatin Poklek të Drenasit, Njësia e Reagimit të Shpejtë ndaloi për kontroll një makinë të tipit Land Rover, ku gjendeshin dy persona, njëri prej tyre, Don Xhoni. Gjatë kontrollit, Policia gjeti në fiokun e makinës një armë zjarri e llojit DERYA 9x19mm, së bashku me një karikator që mbante 10 fishekë.
Lajmi i publikimit të menjëhershëm nxiti spekulime të ndryshme, por shumë shpejt doli në pah një version më i qartë dhe më i qetë i ngjarjes.
Burime pranë 'Sinjalit' raportuan se arma në fjalë nuk i përkiste Don Xhonit. Në fakt, ajo rezultoi të ishte në pronësi të djalit të xhaxhait të tij, i cili posedon leje të rregullt për armën dhe autorizim për ta përdorur atë në poligon qitjeje.
Sipas të dhënave të konfirmuara nga Policia, një ditë para ngjarjes, djali i xhaxhait të Don Xhonit kishte përdorur makinën e tij dhe kishte harruar armën në fiokun qendror. Reperi, pa dijeni për këtë detaj, e kishte marrë makinën të nesërmen, duke u bërë kështu pa dashje pjesë e situatës.
Pas ndalimit, artisti u shoqërua në stacionin policor për sqarim. Ai vetë deklaroi:
“Policia ka qenë shumë korrekte dhe profesionale gjatë gjithë trajtimit. Jam shoqëruar në stacion ku kam sqaruar të gjitha rrethanat. Më pas ka ardhur edhe djali i axhës, pronari i armës dhe ka dhënë deklaratën e tij. Gjithçka është sqaruar.”