Këngëtarja e njohur amerikane, Demi Lovato, i ka dhënë fund beqarisë duke u martuar me partnerin e saj, muzikantin kanadez Jordan "Jutes" Lutes, në një ceremoni intime dhe elegante të mbajtur më 25 maj 2025 në Kaliforni. Çifti, që e nisi lidhjen në vitin 2022 gjatë bashkëpunimit për albumin "Holy Fvck", u fejua në dhjetor të vitit 2023.

Ceremonia u organizua nga planifikuesja e njohur e dasmave, Mindy Weiss, dhe u zhvillua në orën 16:00 me orën lokale, në praninë e familjarëve dhe miqve të ngushtë. Demi shkëlqeu me një fustan të personalizuar nga Vivienne Westwood, prej sateni të bardhë perle, me një bust korse dhe një vello të gjatë prej tulli ngjyrë fildishi . Për pritjen, ajo ndryshoi veshjen, duke zgjedhur një fustan tjetër të markës Westwood, modelin "The Audrey", të zbukuruar me perla të qëndisura me dorë.

Demi dhe Jutes u njohën në janar 2022 gjatë bashkëpunimit për këngën "Substance", dhe lidhja e tyre u bë publike në gusht të po atij viti . Ata u fejuan në dhjetor 2023, kur Jutes i propozoi me një unazë diamanti në formë dardhe, të krijuar nga bizhuteria luksoze e Nju Jorkut, Material Good.

Gjatë gjithë lidhjes së tyre, çifti ka ndarë momente të veçanta me ndjekësit në rrjetet sociale. Në Shën Valentinin e vitit 2024, Demi e quajti Jutes-in "dashuria e jetës sime", ndërsa ai e përshkroi veten si "njeriun më me fat në botë" që ka gjetur shpirtin binjak.

Dasma e tyre shënon një kapitull të ri në jetën e Demit, e cila ka kaluar sfida të shumta personale në të kaluarën. Tani, ajo duket e lumtur dhe e qetë, e rrethuar nga dashuria dhe mbështetja e partnerit të saj.