Nuk është më koha e videove me Chiara Ferragni, e story-ve nga prapaskenat e X Factor, apo e deklaratave bombastike. Sot, ajo që Fedez zgjedh të ndajë me 15 milionë ndjekësit e tij në Instagram është krejt tjetër: një plagë ende e hapur, boshllëku i pamasë, një rënie drejt skajeve të errësirës. Në orët e fundit, reperi ka publikuar dy faqe nga libri i tij i parë, ende pa titull e pa datë botimi, ku flet hapur për momentet më të errëta të jetës: kriza në martesë me Ferragni, përjetimi i Sanremos, ndërprerja e ilaçeve antidepresive dhe një tentativë për vetëvrasje. Është një rrëfim brutal, i kthjellët dhe i zhveshur nga çdo filtër, që tingëllon si një lirim i vonuar, por edhe një ekspozim total.

Nuk është një libër për të bërë paqe me të kaluarën. As një manual motivues për rilindjen personale. Libri i Fedez është një zhytje pa kompromis në pjesën më të errët të vetes. Një rrëfim që në momente duket si një rrjedhë vetëdijeje, kaotik, i dhunshëm, intim, dhe që vjen pas një viti në të cilin jeta e tij u shkatërrua publikisht. Operacioni në pankreas, shtrimi në spital, ndarja nga Chiara Ferragni, gjyqi i opinionit publik. Të gjitha këto janë në sfond, por ndihen në çdo fjalë.

Një përplasje mes dy pjesëve të vetes, ku nuk pritet që të mbijetojnë të dyja”, shkruan ai. E menjëherë pas kësaj pyet: “A do të mbijetojë trupi pas kësaj 'amputimi'?”
Ky është fillimi i fragmentit të parë që ai ndan me ndjekësit, ku rikthen në kujtesë skenën e Sanremos dhe vorbullën ku u zhyt më pas:

“Isha në atë skenë, i paaftë për të menaxhuar kaosin, por edhe në mijëra vende të tjera. Në çdo shtëpi të vitit të fundit, në çdo shtrat spitali, në çdo divan ku jam grindur, nëpër lokalet ku jam fshehur dhe kam bërë prapësi. Përballë fytyrave që lashë të mbuloheshin me lot, fytyrat e atyre që, të lodhur, më thanë ‘mjaft’.”

Në atë Sanremo, Fedez solli “Battito”, një këngë e lindur për të rrëfyer marrëdhënien e ndërlikuar me ilaçet psikotrope. Pas asaj performance, që u shënua nga puthja me Rosa Chemical dhe tensione të pazbuluara plotësisht, nisi dhe kriza me Chiara-n.

“Mbajta sytë mbyllur që të mos më përpinte gjithçka, që ta çoja deri në fund atë këngë, të vetmen që mund të këndoja në atë moment. U ktheva në atë skenë, aty ku nisi fundi i gjithçkaje. Ku, më thanë, e teprova. Ku nuk tregova respekt. E bëra me një këngë që ishte mënyra ime për të parë vërtet çfarë ndodhi mes nesh. Pastaj hapa sytë, bebet e syve të zeza, të zgjeruara. Naftë, vrimë e zezë. ‘Pacienti nuk është i vetëdijshëm.’”

Në faqet më të errëta, ai flet për ilaçet, varësitë, dhe mendimin për t’i dhënë fund jetës:

“Nuk është kërcimi. As e shtëna. As akti vetë. Është gjithçka që ndodh para tij. Është shtatzënia. Fëmija i një plani që piqet ngadalë në errësirën e kafkës. Një zë i ulët që të pëshpërit çdo ditë: ‘mjaft’.”

Fjalë të rënda, të papërmbajtura. Si kur flet për ndërprerjen e menjëhershme të antidepresivëve:

“Si kur e lë heroinën. Dhjetë ditë. Dhimbje barku. Këmbët si copa mishi të qullëta. Ëndrrat hanin realitetin. Zgjohesha dhe nuk kuptoja nëse isha zgjuar apo në një tjetër nivel të ferrit.”

Pastaj vjen boshllëku. Ai boshllëk që fama nuk e mbush dot më.

“Fama është si një rreth i ferrit: shumë dritë, dhe një masakër që të gjithë duan ta vështrojnë”, shkruan ai. E thotë si artist, por edhe si pjesë e reality-t më të famshëm italian, The Ferragnez.
“Kur jam vetëm, demonët vijnë.”
Tani, është vetëm. Ose të paktën, kështu ndihet.
“Nuk e di sa më ka mbetur për të jetuar. Kur jam vetëm, demonët vijnë. Pa fytyrë, por me fytyrën time. Me sytë e zinj, si në Sanremo. Gishta të gjatë dhe vështrime bosh.”
Dhe atëherë del. Flet me njerëz, me miq të vjetër apo të sapo takuar. Por një gjë i lidh të gjithë:

“Të gjithë vuajnë nga e njëjta sëmundje: paaftësia.”

Ky rrëfim i Fedez tingëllon si një akt terapeutik. Por në të vërtetë, është ajo që ai ka bërë gjithmonë: të ekspozohet pa maska, me një transparencë që rrallë shihet në figurat publike. Një libër që ende s’ka dalë në qarkullim, pa titull e pa datë, por që tashmë është një “rast mediatik”. Dhe Fedez e di fare mirë këtë.