Në një episod të ri të podcastit të saj “IMO”, Michelle Obama vendosi të shkojë drejt e në zemër të thashethemeve që kanë qarkulluar së fundmi për martesën e saj me ish-presidentin Barack Obama. E shpalli të ftuarin si “shumë, shumë, shumë special”, dhe në skenë u shfaq pikërisht Barack, i cili iu bashkua bashkëshortes dhe kunatit të tij, Craig Robinson, për një bisedë të drejtpërdrejtë, me humor dhe ndjeshmëri.
“Prisni, ju të dyve ju pëlqen njëri-tjetri?”, pyeti me ironi Craig, duke qeshur.
Barack nuk humbi rastin për të bërë shaka: “Ajo më mori prapë! Ishim në fije të perit për një çast,” tha ai me një buzëqeshje, duke iu referuar thashethemeve për krizën martesore.
Michelle e paralajmëroi me shaka të mos “niste me fjalë”, por pranoi me të qeshur se “është bukur të jemi në të njëjtën dhomë”. Ajo shtoi se, sa herë që nuk janë fizikisht bashkë, njerëzit nisin të mendojnë se janë ndarë.
Por ishte pikërisht ajo që qetësoi përfundimisht çdo spekulim:
“Nuk ka pasur asnjë moment në martesën tonë kur kam menduar të largohem nga burri im. Kemi kaluar kohë shumë të vështira, por edhe momente të paharrueshme, plot aventura, dhe falë tij, unë jam bërë një njeri më i mirë.”
Për më tepër, Michelle vlerësoi Barackun si një baba të përfshirë dhe të përkushtuar ndaj vajzave të tyre, Malia dhe Sasha.
Pavarësisht përpjekjeve të çiftit për të qëndruar larg thashethemeve, ato nisën të qarkullojnë më herët këtë vit kur Barack u shfaq i vetëm në disa evente të rëndësishme, si funerali i ish-presidentit Jimmy Carter apo inaugurimi i Donald Trump, ndërkohë që Michelle mungonte.
Gjithsesi, dyshja vazhdoi të shpërndante mesazhe dashurie dhe urime të ndërsjella në rrjetet sociale për ditëlindje, festa e raste të veçanta.