Duket sikur futesh në një botë ngjyrash apo çudirash, si ajo e Lizës, por të ikën menjëherë fantazia kur e sheh që nuk është gjë tjetër, veçse një copëz realiteti brenda asaj bote virtuale. Sapo sheh kaq shumë ngjyra dhe kaq shumë dritë, nuk ka nevojë të përshkruash se sa i madh është pasioni për modën. Mjafton të shikosh këto foto që luajnë me njëra-tjetrën më kontraste të forta. Dhe dëshirat të lindin aty për aty, sa hap e mbyll sytë…. për të pasur një botë me kaq shumë ngjyra.

Nuk ka nevojë të pyesësh kush është Jona, personazhi nuk është i panjohur për publikun. Nëse do të pyesje atë virtual pastaj, përgjigjja do të ishte një “Pooo” e madhe.

Kjo është Jona Haderi, një fashion bloger-e, e cila prej kohësh jeton dhe studion në Londër, por pasionin për modën dhe fashion-in e ka të hershëm. Në fakt, nuk ka investuar shumë, ose më mirë, nuk ka investuar fare: vetëm i pëlqen të bëjë shopping dhe të vishet ashtu siç e ndien, pa bërë as përpjekjen më të vogël të tërheqë vëmëndjen. Por ia ka arritur ta bëjë, derisa sot është ngë vajzat më me stil në “Insta Style”. Nga Londra, aty ku prej disa muajsh vijon studimet, Jona poston gjithmonë foto me të rejat e fundit nga bota e modës.

 

Mikeshë që e viziton herë pas here duke i plotësuar profilin, Jona ka edhe këngëtaren e njohur, Jonida Maliqi.Të dyja vajzat kanë një adhurim të veçantë kryesisht për këpucët. Siç dihet, Jonida prej vitesh ka një dyqan me këpucë të markave më të mira, ndërsa Jona…. as nuk i numërohen këpucët dhe markat, por e ka një debulesë: “Jimmy Choo”.

Pika e fortë e saj duket që është kontrasti i ngjyrave, por natyrisht, ndonjëherë edhe klasikja e përjetshme bardhë e zi, s’mund të bëjë përjashtim. Sa shumë të duket sikur e gjitha është vintage, të vjen një detaj modern, që e bën atë më unike se kurrë.

 

Nëse je skeptike për pantallonat me mix printesh, sapo sheh ato që ka veshur Jona, mendon se ia vlen të guxosh. Kjo është Jona: të shtyn të guxosh dhe të provosh atë që kurrë nuk do kishe mundur.  

Mix-et e motiveve janë të kombinuara ëmbël, ndonjëherë edhe me një ngjyrë që nuk e ka motivi, por ajo që të bën përshtypje më shumë në këto foto është ngjyra pas Jonës, e cila, si askush tjetër, kujdeset për të krijuar gjithmonë kontrastin…. Duke u bërë kështu, me apo pa dashje, unike.