Koleksioni Vjeshtë-Dimër 2024-2025 i ‘Erina by Anila Konomi’ pritet të sjellë një frymë të re në artin dhe modën shqiptare. Ky bashkëpunim unik do të ndërthurë pikturat e Erinës me krijimet e Anilës, duke prezantuar një Haute Couture që do të frymëzojë publikun vendas dhe ndërkombëtar.
Në këtë event do të marrin pjesë disa nga emrat më të njohur të artit, kulturës, sportit dhe televizionit. Motrat e famshme të muzikës shqiptare, Irma dhe Eranda Libohova, do të jenë ndër të parat që do të veshin krijimet e frymëzuara nga pikturat e Erinës. Publiku do të ketë rastin të shohë aktoren e shquar Ema Andrea, artisten e talentuar Marsela Çibuku, sportisten e njohur Klodiana Shala duke sjellë në jetë këto vepra arti të veshshme.
Zamira Kita, një ikonë e skenës shqiptare, do të emocionojë me prezencën e saj, ndërsa artistja dhe regjisorja Inis Gjoni do të shkëlqejë me stilin e saj unik. Aktivistja e njohur Zhaklin Lekatari dhe ish-missi shqiptar Elisabeta Gjonpali do të shtojnë elegancën dhe mesazhin e fuqishëm që ky koleksion synon të përcjellë.
Çdo veshje do të bartë në vetvete një histori nga pikturat e Erinës, duke kombinuar thjeshtësinë me kompleksitetin e ndjenjave që vetëm arti mund të ofrojë.
Çdo veshje është një pikturë që merr jetë në lëvizje, duke komunikuar përtej fjalëve dhe duke prekur zemrat e të gjithëve.
Historia pas koleksionit është po aq magjike sa krijimet vetë. Bashkëpunimi midis Erinës dhe Anilës, i lindur vetëm një vit më parë, do të vazhdojë të reflektojë një harmoni të jashtëzakonshme mes artit dhe modës. Pikturat e Erinës do të vazhdojnë të jenë burim frymëzimi, ndërsa Anila do të përkthejë këto vepra në veshje Haute Couture që do të tejkalojnë kufijtë e imagjinatës.
Koleksioni do të shoqërohet me një kalendar të vitit 2025, ku çdo muaj do të jetë një pasqyrë e përkushtimit dhe kreativitetit të Erinës. Ky kalendar do të jetë jo vetëm një kujtesë e artit, por edhe një udhëtim emocional për këdo që e shikon.
Ky koleksion pritet të jetë një dëshmi e fuqisë së artit pamor për të prekur zemrat dhe mendjet e njerëzve. Nëpërmjet bashkimit të ngjyrave, formave dhe modës, Erina by Anila Konomi do të sjellë një përvojë të re, ku arti nuk do të jetë thjesht për t’u parë, por për t’u ndjerë dhe përjetuar.
Një koleksion që nuk është vetëm modë – është histori, emocion dhe art!