Sado të kesh dëgjuar për perandorinë e syzeve që ka ngritur Ersi, pa u gjendur vetë mes kësaj mikrobote, nuk arrin t’ia imagjinosh të gjitha ngjyrat. E kupton vetëm kur ajo vjen për shërbimin fotografik, me një valixhe me rrota, që, për t’ia mbyllur zinxhirin, disa i ka lënë jashtë.

Financierja, që bie në sy prej ngjyrës së flokëve, meqë ende nuk e ka hapur valixhen, është prej vitesh e apasionuar pas syzeve të diellit. Ka gati 50 palë, të gjitha marka të njohura, një pjesë e mirë nga koleksionet “limited edition”, të blera pak javë pas daljes në vitrina, disa madje, është pothuajse e sigurt që i ka vetëm ajo në Shqipëri dhe pse kjo është e vështirë sepse ato që sot mund t’i blesh në Paris, apo Romë një vit më vonë janë dhe në Tiranë dhe asaj i ndodh vazhdimisht që kthehet nga udhëtimet me gëzimin e një palë syzeve të reja “limted edition” dhe, vitin tjetër, koleksioni përsëritet dhe, syze të ngjashme, ua sheh të tjerëve. Sigurisht që nuk i vjen mirë. Nuk është thjesht prej konkurrencës që mund të kenë vajzat fashioniste, është prej kënaqësisë që u jep koleksionistëve diçka unike në koleksion që nuk e ka askush tjetër. Tani për tani, edhe për ca kohë, ajo mund të krenohet me një palë Dsquared dhe një palë Chanel. Megjithatë, edhe të tjerat, kanë historitë e tyre dhe i pëlqejnë njëlloj.

Foto: Orsola Mema Class Photography

Një palë D&G janë syzet që i kushtuan humbjen e avionit në Romë, një palë të tjera, po D&G, ia çuan në fill të perit, fluturimin nga aeroporti i Mynihut. Një palë janë ato që i ka sjellë nga matanë oqeanit sepse në Evropë ishin “sold out”. Janë edhe një palë gati në moshën e saj, të blera në Meksikë, në vitin 1984, nga prindërit e një prej mikeshave të Ersit, në atë kohë në shërbim diplomatik në kontinentin tjetër dhe historitë vazhdojnë… Nuk ka harruar të sjellë edhe të parat e kësaj historie me syzet. Një palë Chanel te të cilat e çoi thjesht shija dhe vetëm vite më vonë do ia zbulonte kuptimin simbolit që mbanin në cep të xhamit, që është marka e preferuar e Ersit, pavarësisht që asaj nuk i mungojnë Tom Ford, Gucci, Dolce&Gabbana, Dior, apo dhe më pak të shtrenjta si Ray Ban. “Nuk jam e fiksuar domosdoshmërisht me markat super të shtrenjta. Mua më pëlqejnë syzet. Forma, ngjyrat, stili. Çmendem pas ca syzeve në formë zemre që janë të mrekullueshme për plazh të cilat nuk i kam blerë aspak shtrenjtë”.

Syzet janë pjesë e pandarë e look-ut të saj. Ka një palë për çdo vend, për çdo kombinim. “Kur zgjohem në mëngjes, mendoj çfarë do vesh dhe bashkë me veshjen mendoj edhe syzet që i shkojnë. Dhe e gjithë pamja ime atë ditë është ashtu si e kam menduar, si ndihem mirë, nuk  shqetësohem  mos gurët e syzeve stonojnë me paraditen, apo atletet nuk janë shumë serioze”.

Një foto fëmijërie ku ka pozuar me syzet e diellit të së ëmës, Shefikat Ngjelës, sot një businesswoman, e bën të besojë që kjo dashuri ka lindur që herët dhe nuk është zbehur kurrë, madje tani vlen edhe më shumë. Nuk ka hequr dorë, ose sytë fjalë për fjalë, nga syzet e diellit edhe pse gjithmonë i ka pasur të nevojshme syzet optike. Nëse dikush tjetër do ankohej për to, për Ersin është një mundësi për të mbajtur syze në çdo orë të ditës, në mjedise të brendshme dhe të jashtme dhe pse asaj nuk i mungojnë as syzet e diellit me xham pothuajse të tejdukshëm të përshatshme për mjedise të brendshme.

Në të vërtetë, asnjë model e asnjë tendencë që është bërë e njohur vitet e fundit nuk i mungon, asnjë markë e formë, sado ekstravagante të jetë për një financiere që jeton në Tiranë, si ato me lule të mëdha që të kujtojnë  ballot elegante me maska nga shkëlqimi i të cilave kanë ngelur vetëm legjenda.

Të gjitha syzet i ka blerë vetë. Kryesisht jashtë Shqipërisë dhe vetëm pak palë në disa optika në Tiranë. Miqtë, edhe pse e dinë shumë mirë çfarë do i pëlqente, nuk janë asnjëherë të sigurt që ajo nuk i ka blerë, para tyre, një palë syze, sado të rralla e të reja të jenë në treg. Kështu që mjaftohen duke e lajmëruar që e kanë parë në atë optikë një model të caktuar. Është kthyer në burim historish kjo mani e saj. Edhe atëherë kur premton që do kthehet nga një vend me të njëjtat syze që është larguar, fotot ia demaskojnë dorëzimin para tundimit. Nuk është e vështirë t’i dallosh dy palë të ndryshme te ajo, sepse janë pothuajse të gjitha shumë specifike. Për fatin e saj, i shkojnë që të gjitha, falë formës së fytyrës që përshtatet mirë me çdo model. Asaj i duhet vetëm t’i kombinojë me veshjen dhe ditën. E sigurt është që një palë syzesh dielli nuk mungojnë kurrë. Ndërsa kur niset për diku, qoftë edhe një fundjavë në plazh, ka një çantë enkas për to.

Pasi tregon gjithë këto histori, valixhja me rrota, ku je mësuar të shohësh rroba, apo këpucë, e mbushur me syze këtë herë, duket krejt normale.

Dhe pse nuk duken, syze dielli