Gratë e njohura i mbajnë flokët bisht në të gjitha lartësitë dhe stilet, por ky model nuk përkthehet aq lehtë në jetën e përditshme, sidomos për ato që e mbajnë mend bishtin e viteve ‘80 me atë llastikun e madh.

Sot, nuk e shohim më bishtin. Ndoshta kujtimi i atij modeli të ndalon t’i kapësh flokët ashtu, ose mendimi që bishti është për vajza të vogla. Ose ndoshta i ke flokët shumë të shkurtër apo të rrallë apo mendon që flokët kapen bisht vetëm kur do të lash fytyrën ose kur shkon për vrap.

Ja që gabohesh. Në rregull, pjesërisht, nëse e ke fjalën për atë bishtin në majë të kokës, por sot, modeli për vajza të rritura, elegante, siç e mbajnë Kate Middleton apo Kerry Washington dhe Jennifer Aniston, është i rregullt, i sofistikuar dhe kaq natyral sa ia vlen të japësh 10 minuta nga koha e mëngjesit për t’u bërë mjeshtre e tij.

Ja si të sigurohesh që bishti i flokëve, është për të rriturat.

Çelësi për çdo bisht flokësh prej të rriturash është ta kapësh në nivelin e duhur, duke i dhënë pak volum në pjesën e kurorës së kokës, për t’i dhënë një “ngritje” fytyrës, duke krijuar një butësi linjash me disa fije të lira dhe duke mbuluar llastikun me një tufë flokësh për një pamje të sofistikuar.

Shih videon e parukieres Denise McAdam për të parë teknikën e saj të realizimit të bishtit që mund ta përsërisësh në shtëpi.

Nëse do t’i kapësh flokët bisht vetë, janë disa mjete që do të ndihmojnë. Një krehër që përfundon me majë nga ana tjetër është shumë i mirë për të krehur flokët mbrapsht. Llastiqet e holla elastike me ngjyrë të tejdukshme janë shumë të mira për të kapur bishtin. Flokët qëndrojnë më mirë bisht ditën tjetër pas larjes. Në të kundërt, nëse nuk rri dot pa e larë çdo ditë kokën, përdor një produkt flokësh që t’i bëjë më të lehtë për të qëndruar. Në fund kur të jetë gjithçka gati fiksoje me pak llak flokësh.