Duhet ta dini që nuk ka asgjë jo normale të kesh push në fytyrë. Shumë influencuese në rrjetet sociale e diskutojnë shpesh këtë temë duke i ndihmuar vajzat me mënyra të ndryshme se si ta zgjidhin këtë “problem”. Pjesët ku qimet janë më të dukshme dhe më të dendura janë kryesisht mjekra, basetat dhe pjesa e buzës së sipërme. Ka shumë vajza, të cilat preferojnë që pushin e fytyrës ta heqin dhe në ditët e sotme ka miliona mënyra për ta bërë duke filluar që nga brisku e deri te dylli apo peri. Megjithatë, duhet të keni parasysh që gjithmonë para depilimit fytyra duhet të lahet.

Fytyra e pastër është një fillim i mbarë për procesin e heqjes së pushit. Larja e fytyrës do të parandalojë akumulimin e baktereve, të cilat mund të shkaktojnë infeksion në lëkurën tuaj dhe do t`ju duhet të përballeni me probleme shumë më të mëdha se pushi. Kështu që herën tjetër mos përtoni ta lani fytyrën para se të filloni me depilimin.