Sekretet e baltës dhe efektet e saj në lëkurë janë njohur që në kohën e Kleopatrës, por edhe në kohën tonë, si qindra vjet më parë, balta është një nga produktet më të mira për ruajtjen e bukurisë.

Probleme të lëkurës si: aknet, ekzemat, zbokthi, etj., trajtohen efektivisht nga baltat e Detit të Vdekur, të cilat veprojnë në lëkurë pa efekte anësore. Gjithashtu, këto lloj maskash ndikojnë edhe në rigjenerimin e qelizave, duke reduktuar rrudhat deri në 40 për qind. Disa nga baltat e Detit të Vdekur që përdoren në kozmetikë mund t’i përdorni edhe në kushte shtëpie dhe rezultati do të jetë mjaft i mirë.

Një nga mënyrat më të mira për të luftuar rrudhat janë maskat prej balte. Çdo lloj balte është e përshtatshme për lëkurën, për shkak se është e pasur me minerale. Disa nga baltat që ndihmojnë për shmangien e rrudhave janë:

Balta e bardhë është e pasur me magnez dhe zink. Në kozmetikë përdoret shumë shpesh për pastrim të poreve dhe qelizave të vdekura. Balta e bardhë zbardh lëkurën dhe heq yndyrën e tepërt, mjaft e mirë për lëkurat me yndyrë.

Balta gri është një hidratuese mjaft e mirë e lëkurës. Një nga maskat më të mira për të reduktuar rrudhat dhe që ndihmon në elasticitetin e lëkurës. Maska me argjile është një nga maskat më të rekomanduara, e cila është e përshtatshme për lëkurën e thatë dhe për lëkurën me probleme. Përveç fytyrës, balta gri mund të shërbejë edhe për të zbutur lëkurën e ashpër të bërrylave dhe thembrave të çara.

Balta e zezë është mjaft e mirë për të normalizuar qarkullimin e gjakut në lëkurë dhe ndihmon në ripërtëritjen e lëkurës. Maskat nga balta e zezë ngadalësojnë plakjen dhe pastrojnë lëkurën. Po ashtu, balta e zezë është një trajtuese mjaft e mirë edhe për celulitin.

Balta blu përmban gjithashtu shumë minerale, azot, fosfat dhe hekur. Ajo është një ndër maskat më të mira për të ulur inflamacionin, pastron dhe dezinfekton lëkurën, madje është mjaft e mirë edhe për të ulur stresin.

Balta jeshile është një depozitë e pasur me kalcium, magnez, mangan, bakër, alumin dhe minerale të tjera. Balta e gjelbër është një normalizuese mjaft e mirë e gjëndrave dhjamore në fytyrë, por edhe pastron në mënyrë të shkëlqyer yndyrën e lëkurës.

Balta e kuqe është e përshtatshme për lëkurë të ndjeshme. Zakonisht është ajo lloj balte që heq skuqjen e fytyrës, irritimet, pastron dhe i rikthen ngjyrën lëkurës.

Maskë me baltë për fytyrën

Nëse vendos të bësh një maskë me bazë çdo lloj balte nga të sipërpërmendurat, hapat janë shumë të thjeshtë. Në varësi të tipit të lëkurës, është mirë që të vendosësh në fytyrë llojin e baltës për të cilën ka nevojë fytyra.

Përgatitja:

Një lugë çaji me baltë përzieje në një enë (jo metalike – është shumë e rëndësishme, sepse baltat kanë shumë minerale) me pak ujë, sapo të krijosh një masë kremoze. Shto disa pika vaj ulliri (për të eliminuar thatësirën) dhe një lugë çaji mjaltë. Pasi e ke përzier mirë të gjithë masën aplikoje në fytyrë me një shtresë të hollë dhe mbaje për 10-15 minuta. Pasi e ke shpëlarë, vendos në fytyrë kremin hidratues, meqë balta ka edhe efekt gërryes dhe pas saj, fytyra do të të duket më e thatë.