Hera e parë që mbaj mend të kem kërkuar falje, ka qenë kur isha 9 vjeç. Mami dhe gjyshja ime më kishin marrë me vete në një qendër tregtare, e cila ndodhej në anën jugore të qytetit tonë verior, Indiana. Ndërkohë që ato po blinin disa rroba, unë nuk po gjeja diçka interesante për të bërë. Kalova nga ana tjetër e qendrës, atje ku ndodheshin dyqane të cilat shisnin lloje të ndryshme vitaminash, produkte për të humbur peshë dhe suplemente të ndryshme ushqimore. Kaloja nëpër korridoret mes rafteve të dyqanit, ndaloja për të parë diçka, e merrja në dorë, e lija përsëri kur shikoja se nuk i kuptoja ato që shkruheshin në etiketë. Si përfundim, ndalova në një rresht ku gjendeshin disa karamele, të cilat më tërhoqën vëmendjen. Mendoja se i njihja të gjitha llojet e karameleve, por u ndesha me një shumëllojshmëri, të cilave nuk ua dija as emrin. Pa e menduar, rrëmbeva një dhe e hapa për të parë nga afër se çfarë fshihej në brendësi. Menjëherë kuptova se kisha bërë gabim. E vendosa pakon e karameleve me kujdes përsëri në raft dhe u drejtova për nga dalja.
Pa arritur të dal, ndjeva një dorë në supin tim. Ishte dora e shitëses, e cila me një dorë më mbante mua për mos të ikur dhe në tjetrën kishte pakon e karameleve që kisha hapur pak më parë. “Përse e bërë këtë? ” – më pyeti me mirësjellje. Sa mora guximin për t’u përgjigjur mami dhe gjyshja hynë në dyqan. “Përse po e mbani këtu vajzën time”? – tha mami, e cila dukej e hutuar dhe e nevrikosur. Administratori menjëherë u përgjigj: “Përse vajza jote u mundua të vidhte këtë shufër me proteina nga dyqani im?”. Ai shfaqi provat para saj dhe unë ula kokën nga turpi. Ime më dhe gjyshja ime më nxorën jashtë dhe pothuajse më zvarritën deri te makina. Diku në mes të rrugës ato vendosën se duke zgjedhur të më trajtonin me heshtje, ishte mënyra më e mirë për t’u përballur me atë që kisha bërë. Që nga sedilja e pasme, iu lutesha të dyjave të më falnin sikur edhe vetëm njëra, për atë që kishte ndodhur në dyqan. Ato zgjodhën heshtjen dhe unë u ngarkova tepër emocionalisht. Nëse ato nuk më falnin, unë asnjëherë nuk do të isha e falur.
13 vite kaluan shpejt. Tani jam 22 vjeçe, jam në kolegj, shumë e varfër dhe akoma nuk e kam marrë mësimin pas asaj që ndodhi atë ditë. Kur patëm zënkën e parë me të dashurin tim, pas 1 viti lidhjeje, ai, me anë të telefonit, më tha që nuk dëshironte të ishim më bashkë. Vendosa çfarë duhet të bëja. Pas një ore udhëtim, shkova te shtëpia e tij dhe iu luta që të më falte për çdo gjë. Në të vërtetë nuk isha e sigurt se si duhet të veproja, por e di që nuk mund të lija marrëdhënien time njëvjeçare vetëm sepse personi tjetër dëshiroi largimin tim. Nuk kërkova të dija hollësirat sepse nuk dija nëse vërtet do i pranoja ato, por kërkova të më falte për çdo gabim. Ai më tha se nuk mund të më shpjegonte saktësisht se çfarë i kisha shkaktuar, por kjo nuk m’u duk shumë e arsyeshme si përgjigje. Dola në përfundimin se ai nuk më fali. U largova nga shtëpia e tij dhe mora rrugën për në kolegj, duke u ndalur herë pas herë në anë të rrugës për të qarë.
Java pas ndarjes, ishte java më e keqe që kam kaluar në jetën time. Përveç zemrës së thyer më duhej të kuroja dhe klavikulën e thyer, pasi u godita nga një biçikletë, e cila më shtyu para një makine që vinte me shpejtësi, që më goditi dhe ajo nga ana e saj. Gjithashtu u përballa dhe me bronkitin për herë të parë në jetën time. Më pas një pjesëtar i familjes së tij tentoi vetëvrasje dhe unë nuk mund t’i gjendesha pranë. Por çdo natë i dërgoja mesazhe: Do doja shumë të isha pranë teje, të dua. Më fal, më fal, më fal.
Pas gjithë këtyre, vend në jetën time zuri dhe depresioni, më së shumti sepse unë refuzoja të pranoja gjendjen time. Pse po reagoja kështu përballë një mashkulli? Nuk isha vetvetja, por diçka po ndodhte. Bleva një paketë me cigare dhe i piva në ballkon, edhe pse nuk kisha provuar asnjëherë më parë. Heshtja bëhej e padurueshme, por muzika më bënte të ndjeja shumë gjëra njëkohësisht. Fillova të dëgjoj muzikë pa pushim edhe kur isha në gjumë. Kënga ime e preferuar ishte Forgetting, e Sarah Marshall. Më dukej e paarsyeshme të çohesha për të shkuar në mësim, kështu që nuk shkoja më në kolegj. Qaja në dush dhe lotët e mi ia kalonin dhe ujit që rridhte pa pushim. Pothuajse nuk haja fare, humba 9 kilogramë në 6 javë. Kur njerëzit më uronin dhe më pyesnin se si kam arritur diçka të tillë, duke qeshur u thoja se është rezultat i tërheqjes nga përditshmëria. Asnjë nuk më pyeste më shumë. Isha në periudhë refuzimi, shumica e njerëzve që më njihnin, më njihnin me anë të mashtrimit. Nuk i fajësoj. I kam falur.

Një ditë, shoqet e mia të dhomës, i flakën cigaret dhe larguan të gjitha sendet e mprehta nga dhoma. Më dukej sikur isha barrë për to dhe u kërkoja falje. Unë nuk kisha guxim të kërkoja falje. Më mori një javë kohë për të vendosur të shkoja në një qendër këshillimi. Ata më pyetën nese kisha shkuar thjesht për takim apo nëse e kisha me urgjencë. Për momentin u stepa dhe për herë të parë pas dy muajsh, binda veten time se duhet të isha e sinqertë për ato që më kishin ndodhur dhe për ato që më bënë të përfundoja në këtë gjendje. Për javë të tëra, kisha iluzione se vdekja ime po afronte. Kisha një plan, kisha mbajtur shënime. “Po-thashë, wshtë urgjente”. Pritësi i qendrës më dha një shami letre, para se unë të kuptoja se isha duke qarë. Më pas më kërkoi të ulesha deri sa ai të plotësonte një formular. U binda, sepse e dija që ishte mundësia ime e fundit. Mendoja me vete, se nësë nuk bëja ato që ai thoshte, një gropë e madhe e zezë më priste nga ana tjetër e derës. Nuk mund të rikthehesha përsëri atje.
Isha ende duke qarë, kur këshilltarja im erdhi të prezantohej me mua. Ajo më drejtoi për te zyra e saj dhe ndërkohë që më kërkoi të ulesha unë fillova të flas. Fillova të tregoj ngjarjen e tetë javëve më parë. I shpjegova se nuk ishte thjesht ndarja, ishte diçka tjetër, diçka më e komplikuar sesa një lëndim. Ajo më tha: “Ka rreth një million mënyra për t’u lënduar. Jo të gjitha lidhen me zgjënjimin e një dashurie romantike”. I thashë se ende nuk e kisha kuptuar se çfarë kisha bëra për të më lënë ai. Ajo tha: “Si e di që është faji yt?”. Nuk kisha një përgjigje. Thjesht ashtu ndihesha. Vazhduam bisedën. Më pas u largova. U ktheva. Nuk kishte vrimë të zezë prapa derës. Në një farë mënyre, nuk kisha më frikë. U surprizova nga vetja.
Në fund të semestrit, u ula në zyrën e mentorit tim duke i shpjeguar pse kam nevojë për të ndjekur sërish kurset e kolegjit. Këshilltarja ime më praktikoi për këtë bisedë. “E di që mund t’ia dal”- i thashë. “Thjesht kam humbur drejtimin”. U mbështet në karrigen e tij duke mos m’i ndarë sytë. Lëshoi në tryezë stilolapsin dhe më pyeti, “Pse mendon se do ia dalësh?”. Kjo ishte pjesa më e vështirë. Nuk isha plotësisht e sigurt në vetvete, por u përgjigja.
“Besoj se do ia dal, sepse tani di si të kërkoj ndihmë. Nuk do lë asgjë të më rëndojë më shumë seç kam fuqi të mbaj. Do ia dal sepse dua t’ia dal, dhe nuk kam nevojë për askënd të më falë edhe nëse nuk ia dal. Tashmë, kam falur veten time”.
Përshtati Roxhensa Luarasi
Redonline.co.uk