Temperaturat e nxehta e kanë goditur edhe vendin tonë prej ditësh dhe nëse ju duhet t’i kaloni në qytet, duhet të keni parasysh disa këshilla si t’i përballoni me sukses.

Ç’duhet të bëni për të përballuar të nxehtin e këtyre ditëve?

Qëndroni freskët. Mund të tingëllojë e qartë, por nëse trupi juaj arrin nxehtësinë 40°C, kjo gjë kërkon ndihmë urgjente mjekësore, pasi mund të çojë në humbje të vetëdijes, mosfunksionim të organeve, madje edhe në pasoja fatale.

Kujdes ushqimin dhe hidratimin. Qëndroni vazhdimisht të hidratuar duke konsumuar ujë (dhe shmangni diuretikët si kafeina). Mos prisni të keni etje për të pirë ujë, pasi edhe nëse s’keni etje mund të jeni dehidratuar. Gjithashtu mundohuni të konsumoni ushqime me përmbajtje të lartë të ujit.

Shmangni orët e nxehta. Nëse mundeni qëndroni në ambiente të mbyllura. Kufizoni lëvizjen në orët e nxehta dhe nëse është e mundur lëreni për në pjesët më të freskëta të ditës. Bëni kujdes me ushtrimet fizike.

Kujdes veshjet. Mundohuni të mos e ekspozoni shumë lëkurën në temperatura të larta. Zgjidhni veshje lino dhe pambuk, që e lejojnë lëkurën të marrë frymë. Mbani gjithmonë një kapelë, syze dielli dhe mos harroni kremin mbrojtës.

Zgjidhni metodat e ftohjes që ju përshtaten. Nëse nuk keni (ose nuk e preferoni) kondicionerin, atëherë provoni freskueset ose bëni një dush të freskët në orët e nxehta. Nëse jeni jashtë sigurohuni të keni në çantë spraj për fytyrën, si dhe mbani me vete gjithmonë një termus me ujë të ftohtë.