Që prej momentit kur Ozempic u bë pjesë e pandashme e bisedave për humbjen e peshës, ky ilaç kontrovers ka ardhur me disa pasoja të dokumentuara mirë. E famshmja “fytyrë Ozempic” është ndër to një efekt që shfaqet përmes dobësimit të shpejtë në fytyrë, humbjes së elasticitetit të lëkurës dhe një pamje dukshëm më e plakur. “Fytyra e Ozempic duket e holluar, e zbrazët dhe e varur,” tha më herët kirurgia plastike e fytyrës në Nju Jork, Jennifer Levine. “Mendoni rrush të tharë në vend të rrushit të freskët!”
Tani, përdoruesit e Ozempic dhe ilaçeve të ngjashme GLP-1 (si Mounjaro, Wegovy, Rybelsus, dhe Zepbound) po vërejnë gjithashtu rënie të flokëve dhe dobësim të muskujve.
Pse ndodh kjo?
Disa studime e lidhin këto ilaçe me rënien e flokëve, por sipas ekspertëve, nuk është një efekt anësor i drejtpërdrejtë i vetë ilaçeve GLP-1. Dermatologia e certifikuar, Dr. Marisa Garshick, shpjegon se është pasojë indirekte e humbjes së shpejtë në peshë, mungesës së lëndëve ushqyese apo stresit fizik. Ajo përmend “telogen effluvium”, një gjendje që shkakton rënie të flokëve disa muaj pasi trupi përjeton stres. “Shumë njerëz që marrin GLP-1 mund të mos e vërejnë rënien e flokëve menjëherë, por pas disa muajsh,” shton ajo.
Përsa i përket humbjes muskulore, kjo është një efekt i zakonshëm i rënies në peshë qoftë nëpërmjet dietës, aktivitetit fizik, kirurgjisë apo ilaçeve. Sipas Dr. Holly Lofton, drejtoreshë e programit të menaxhimit mjekësor të peshës në NYU Langone Health, ilaçet si Wegovy dhe Zepbound shkaktojnë humbje të njëjtë, nëse jo më të madhe, të masës muskulore sesa metodat tradicionale.
Studimet tregojnë se rreth 25-30% e peshës së humbur përmes kufizimit kalorik vjen nga masa e dobët trupore (dmth muskujt). Kjo do të thotë se nëse humb 9 kg, rreth 2–3 kg prej tyre mund të jenë muskuj. “Këto ilaçe nuk janë domosdoshmërisht miqësore për muskujt,” thotë Lofton. “Nëse nuk ndërhyjmë me ushtrime rezistence dhe mjaftueshëm proteina, humbja muskulore mund të jetë e konsiderueshme.”
Çfarë mund të bësh për këtë?
Për flokët:
Dr. Garshick thotë se është normale të humbasësh 50–100 fije flokësh në ditë. Por nëse vëren humbje më të madhe ose që zgjat më shumë se 3–6 muaj, konsultohu me një dermatolog të certifikuar.
Ajo rekomandon:
• Analiza gjaku për të identifikuar mungesa ushqimore ose ndryshime hormonale
• Marrjen e suplementëve si Nutrafol ose Wellbel
• Përdorimin e shampo-ve volumizuese
Në raste më të theksuara: terapi me plazmë të pasur me trombocite (PRP) për stimulim të rritjes së flokëve
Për muskujt:
Dr. Lofton rekomandon:
• Marrje minimale prej 60 gramë proteina në ditë (nga të bardhat e vezës, mish, peshk, gjalpë arrash, etj.)
• Ushtrime rezistence të paktën 75 minuta në javë, ose deri në 240 minuta nëse synon ndërtim aktiv të masës muskulore
“Qëllimi nuk është thjesht të humbasësh peshë, por të humbasësh yndyrën e tepërt dhe të ruash muskujt,” thekson ajo.
Në përfundim edhe pse ilaçet GLP-1 si Ozempic janë shumë efektive për rënien në peshë, është thelbësore të shoqërohen me ushqyerje të kujdesshme dhe stërvitje, për të shmangur efektet anësore që po shqetësojnë gjithnjë e më shumë përdorues.