Këpucët e mia dhe unë!

Këpucët femërore përbëjnë vërtetë një histori. Jo vetëm në ditët e sotme por edhe kohë më parë këpucët përbënin dhe vazhdojnë të personifikojnë një vlerë të veçantë duke diktuar edhe zgjedhjet tona në veshje. Këpucët bëjnë të dukshme këmbët dhe i japin një tjetër vlerë hireve femërore. Me fjalë të tjera, ato simbolizojnë fuqinë dhe pushtetin tek femrat. Këpucët mund të thonë shumë edhe mbi mënyrën se si njerëzit do të ecin përpara në jetë. Zgjedhja e tyre në varësi të modelit, ngjyrës dhe lartësisë lidhen me tipare të veçanta të personalitetit. Analiza frojdiane mbi psikologjinë njerëzore ka depërtuar edhe në interpretimin e këtij aksesori kaq të rëndësishëm për paraqitjen e jashtme tek njerëzit.

Në librin e tij, “3 Esse mbi teorinë seksuale”, Frojdi është ndalur në interpretimin e një nga aksesorëve më të rëndësishëm të paraqitjes femërore duke i krahasuar dhe duke i analizuar si “organin seksual mashkullor zëvëndësues”. Këpucët, e thënë ndryshe, simbolizojnë pushtetin tek femrat. Mbulimi i këmbëve nga veshja e këpucëve, i zhvesh ato nga funksioni i tyre organik duke u kthyer në një objekt dëshire në varësi të formës, modelit, ngjyrës.Zgjedhja e këpucëve është e lidhur fort me gjëndjen tonë shpirtërore. Kur hyjmë në dyqan jemi të prirura të zgjedhim modele të ndikuara nga dy qëndrime të ndryshme që ndodhin brënda nesh: Rehatia e cila do të përcaktojë qasjen tonë dhe këndvështrimi estetik që do të zbulojë aftësinë joshëse. Të ndikuara nga gjendja e humorit, femrat priren t’i zgjedhin këpucët  herë për rehati e herë të tjera të bukura në aspektin joshës.

Një anketë e realizuar në Francë në një prej revistave mujore solli në vëmendje të lexuesve se 73% e femrave preferojnë të vishen me këpucë të rehatshme dhe praktike. Ndërsa 27% e tyre i kushtojnë rëndësi tendencave të modës, joshjes dhe vlerës estetike që mbartin këpucët.

Kur këpucët i zgjedhim për rehati!

Njerëzit orientohen drejt këpucëve funksionale kur dëshirojnë të jenë të shpejtë, aktiv dhe të mbushur me përgjegjësi. Njerëzit që zgjedhin kryesisht këpucë të rehatshme gjykojnë se këpucët janë aksesorë të domosdoshëm të trupit dhe për rrjedhojë nuk duhet të jenë objekt torture dhe lodhjeje. Këta njerëz respektojnë shëndetin pa i dhënë shumë rëndësi paraqitjes joshëse dhe tendencave të modës.  Sipas psikanalistes Vannina Micheli-Rechtman, “Këmba është pjesa fundore e trupit, të përfaqësimit tonë të jashtëm. Këpuca vlen si një mbrojtje, veshja e këmbës si nga brënda dhe nga jashtë. Këpucët parandalojnë dhe brishtësinë e imazhit vetjak. Ato funksionojnë gjithashtu si “përçuese të posturës trupore duke dhënë impaktin final të personalitetit të njeriut”.

Kur këpucët i zgjedhim për të qenë joshëse!

Jetojmë në një kohë ku imazhi trupor ka impakt të rëndësishëm në shoqëri të ndryshme në mbarë botën. Dëshira për të qenë në formë, elegante dhe joshëse i ka shtyrë femrat gjithnjë e më shumë drejt këpucëve elegante në momente të ndryshme të ditës. Këpucë fine dhe shumë të larta edhe atëherë kur bëhen të padurueshme dhe të dhimbshme përkëmbët tona. Stilistët e tregut të modës i konsiderojnë këpucët si “stoli ambicioze seksi” që tërheqin vëmendjen dhe joshjen e të tjerëve. Për këtë arsye vitet e fundit vitrinat e dyqaneve, këmbët e femrave si në pasarela por edhe në jetën e përditshme janë të veshura me këpucë tepër të hapura, të larta dhe me ngjyra të gjalla. Të qendisura me gura të shkëlqyeshëm dhe ngjyra fluoreshente. Tendenca e femrave drejt kësaj mode ekstreme propozon një përqëndrim maksimal të joshjes mashkullore në paraqitjen femërore. Femrat e karrierës dhe të prirura për të marrë pushtetin e munguar në brezat e mëparshëm ndihen mirë me modelin e këpucëve joshëse. Ato fitojnë elegancë, gjatësi, qëndrim të drejtë të trupit dhe siluetë më të dukshme. Këpucët e larta ndihmojnë për të qenë të dukshme dhe ne qendër të vëmendjes, si një mënyrë për të thënë: “Unë jam këtu!”.

Kur këpucët na bëjnë të pamposhtura!

Imagjinata jonë erotike është e përfshirë edhe në stilin tonë të të veshurit madje edhe tek këpucët. Cizmet seksi! 2 vitet e fundit rrugëve të qytetit jemi ndeshur me tendencën femërore për të veshur çizme të ngushta dhe të gjata deri mbi gju, gati në afërsi të kofshëve. Për sytë e meshkujve, të njëjtën ndjesi siç e përcjellin të brëndëshmet femërore, duket se e përçojnë  edhe çizmet. Tendencat ekstravagante dhe ekstreme të stileve të tyre me gjatësi deri tek gjuri dhe me taka të larta e të holla...Mishërim i frymës luftarake që femrat duan të krijojnë përballë meshkujve. E megjithatë, psikiatri Patrick Lambouley konkludon se : “Këpucët janë thjesht një iluzion...Një iluzion dhe një gënjeshtër. Pse jo të mos gënjesh duke luajtur nga pak me seksin tjetër përmes këtij aksesori që na shoqeron çdo ditë në paraqitjen tonë? Kur jemi të vetëdijshëm me këtë fakt, le të luajmë nga pak duke përcjellë stil, elegancë, sportivitet dhe prakticitet sipas rastit dhe gjëndjes sonë të brëndshme!”