Pas fillimit të zjarrtë të njohjes troket momenti i kritikave...momenti ku rutina dhe përditshmëria zënë vendin e dashurisë pasionante dhe mbizotëron arsyeja: “Hiq dorë nga kjo gjë”, “Përpiqu të jesh korrekt... Kam nevojë për fjalët e tua të mira... Më ndihmo e mos rri indiferent...”.
Të gjitha këto kërkesa dhe ankesa janë për të mirën tonë apo të partnerit? Pse ekziston ky insistim për të ndryshuar tjetrin? A është e mundur të ndryshojmë partnerin apo është thjesht një iluzion?
Në sjelljet e përditshmërisë, sidomos në lidhjet e gjata, femrat kanë natyrën të bëhen më bindëse karshi rregullave në shtëpi, edhe në çështje personale të vet çiftit, kujdesit dhe vëmendjes së treguar karshi njëri-tjetrit. Dhe pse jo, t’u mbushin mendjen partnerëve se edhe ata duhet të jenë efektivë sikundër ato… A ia kanë dale? Nisur nga punët e shtëpisë, rregullit, pazareve, modelit arredues, veshjeve, respektit apo vëmendjes së treguar etj?
Në fakt, ndryshimi duhet të fillojë nga vetja! (Psikologët thonë: Nëse një grua dëshiron që bashkëshorti i saj të kontribuojë në punët e shtëpisë, cila mund të jetë alternativa më e mirë? Ndoshta të mos e e detyrojë atë t’i vishet punës me ankesa dhe kritika por të reagojë duke mos u marrë dhe ajo për një kohë të gjatë me punët e shtëpisë. Ku i dihet... ndryshimi i sjelljes te vetja mund të rezultojë pozitiv në angazhimin e partnerit).
A duhet të ekzistojnë kufijtë midis asaj që duam dhe dëshirës për të ndryshuar partnerin? A mos ndoshta është më mirë të priremi të përshtatemi me tjetrin, të mësohemi me tekat e zakonet e tij sesa të jetojmë në këtë luftën për dominim të plotësimit të gjërave që ne mendojmë se janë të duhurat?
Por,pavarësisht kësaj, Psikologët thonë: “Të pretendosh ndryshimin e tjetrit është si të kërkosh të pamundurën. Duhet të kujtojmë dhe të jemi të vetëdijshëm se personi që dëshironi të shihni ndryshe është rritur e formësuar në një ambient edukativ ndryshe nga i juaji për të paktën përgjatë 20 viteve të para të jetës. A mendoni se është vetëm ndjenja ajo që e mban një marrëdhënie dhe aspak aftësia për t’u përshtatur dhe mirëkuptimi? Përvojat kanë treguar se krahas dashurisë, respektit e mbështetjes reciproke, mendjet bashkëpunuese dhe aftësia për t’ju përshtatur stilit të jetesës së partnerit, janë çelësi i marrëdhënieve afatgjata dhe të lumtura!