Në këtë fundjavë pranvere s’mund të mungonin edhe hyrjet e reja në tregun muzikor. Të fundit janë dy krijimet nga dy bionde të dashura të ekranit, Vesa Luma dhe Luana Vjollca. E para, këngëtare e afirmuar tashmë në skenën tonë muzikore, ka sjellë një krijim të ri, “T’kan fol keq për mu”, i cili ka vetëm disa orë që është publikuar në YouTube. Një këngë me ritme house, e ndërthurur edhe me motive ballkanike është propozimi i Vesës për periudhën pranverë-verë. Kënga është kompozuar nga i fejuari i Vesës, kantatutori dhe reperi i njohur, Big Basta.

Ndërsa Luana Vjollca vjen në një zhanër krejt tjetër. Vetëm pak ditë më parë, në një dalje publike, prezantuesja e njohur e Top Channel, ka deklaruar se kënga është një pasion i hershëm i saj, të cilin ajo do që ta ndjekë. “E jemja” është kënga e re e Luanës, e cila është realizuar nga Pro Video. Qysh në orët e para të publikimit të këngës, Luana ka marrë komente dhe urime të shumta nga ndjekësit në rrjetet sociale.
Përgjatë gjithë javë, të dyja bukuroshet bionde kanë paralajmëruar publikimin e klipit me disa fotografi të nxehta nga xhirimet e klipit, të publikuara në rrjetet sociale. Vesa dhe Luana shfaqen me look të ndryshuar dhe mjaft seksi.