Kanë kaluar shumë vite nga koha kur mes emrit të një violinisti të madh dhe datës së koncertit të tij mund të kishte thjesht një poster të madh mbi kolonat e Teatrit të Operës dhe Baletit dhe ditët sa të mbërrijë koncerti. Sot s’bëhet gjë pa emisione televizive, zhurmë mediatike, një event në Facebook që krijon statuse të shpeshta, që përfshin njerëz, thirrjet që biletat po mbarojnë…megjithëse është një violinist dhe jo një këngëtar pop-i.
Sot, nuk janë bindës për t’ia lënë plotësisht në dorë shitjen e biletave, numrat fenomenalë të marrëdhënies me violinën, artistët e tjerë të mëdhenj me të cilët ka bashkëpunuar, mbi 70 shtetet ku ka dhënë koncerte…
Sot, edhe një violinist si Olen Cesari ka nevojë për publicitet dhe pse kur lajmërimi për koncertin e Olenit në Tiranë pushtoi mediat, disa mund të mos e kenë kapërdirë lehtë kombinimin: një instrument klasik në mes të mediumeve popullore. Por nuk ka shumë për t’u habitur, nëse do shohim rrugën e tij.
Fillimi në moshën 3 vjeçare, interpretimi në skenë në moshën 5 vjeçare, koncerti i parë recital në qytetin e tij të Durrësit, 7 vjeç, diplomimi në Akademinë e Arteve, 14, diploma e dytë në konservatorin Santa Cecilia në Romë vetëm 17 vjeç, shkolla e tretë në Austri gjithmonë në muzikë klasike përfundojnë me udhëtimin drejt Shteteve të Bashkuara. Dhe aty nis epoka tjetër, postklasikja. Epoka kur Oleni zbulon bluzin, rrokun, hip-hopin, gjithë rrymat e tjera dhe nis t’i luajë lokaleve të New York-ut ku këngëtarë e instrumentistë nga e gjithë bota, shënonin emrin në një listë e prisnin t’u vinte radha, të njohur në vendin e tyre, apo talente premtuese që shumë shpejt do pushtonin tregjet muzikore si Lenny Kravitz. Dhe aty muzika klasike u mbyll brenda një sfere më intime, që Oleni e mban gjallë me krijimet e tij të vazhdueshme, ndërsa horizonti i llojeve të tjera të muzikës, u hap me të gjithë joshjen e ngjyrave të tij. Epifani në një natë njujorkeze.
I ndryshuar, u kthye në Itali, ku kjo epokë e re do vazhdonte te “Il locale”, një vend nga do dilnin shumë nga artistët dhe grupet që mbushin sot hapësirën muzikore italiane Tiro Mancino, Nef, Sergio Cammariere e shumë e shumë të tjerë. Cammariere është tashmë gati si një njeri i familjes për Olen Cesarin, me të cilin ka bashkëpunuar në albumin e tij të vetëm “Unexpected”, ashtu siç ka qenë, një baba shpirtëror edhe Luçio Dala, ai që e mori me vete në një tur botëror për një vit e gjysmë, ai që i tha i pari që mos të interpretonte më për të tjerët, por të realizonte projektet e veta, të ishte ai qendra.
Dhe në albumin “Unexpected” ai ka sjellë 13 melodi nga 13 vende të ndryshme të botës, të marra prej tyre, ose të krijuara nga vetë ai, në bazë të veçorive të muzikës popullore të atyre vendeve, ku sigurisht që nuk mungon Shqipëria me “A kanë ujë ato burime” kënduar nga Elsa Lila, një këngëtare që e vlerëson shumë, por dhe një mikeshë shumë e mirë. Këtë bën gjatë këtyre viteve, fton këngëtarë të ndryshëm për të realizuar projekte muzikore, ture botërore, koncerte, siç është edhe ky i fundit në Tiranë.
Gjatë këtij turi në të cilin shoqërohet me muzikantët e International Clandestine Orchestra, nga tre kontinente të ndryshme, ai zgjedh katër artistë të vendit pritës për të ndarë me ta skenën e koncertit duke realizuar nga një bashkëpunim me secilin. Në Shqipëri ka zgjedhur Alban Skënderaj, Elvana Gjatën, Flori Mumajesin dhe Ermal Mamaqin.
Pak pasi Facebook-u u pushtua me njoftimet për koncertin e Olen Cesarit me miqtë, dikush do shkruante që një artist nuk ka pse bën kompromise, nuk ka pse del jashtë sferës së tij me bashkëpunime që do i sillnin më shumë sukses e do i mbushnin sallën e koncertit. Riprodhim i pasaktë sepse statusi është fshirë, por kjo ishte ideja. Mund të mos ketë qenë për Olenin, por jo pak janë bërë dyshues para zgjedhjes së bërë prej tij.
Ata, për hir të së vërtetës, janë, që të katërt, ndër artistët më të suksesshëm në Shqipëri. Secili prej tyre po të bënte një koncert i vetëm, me siguri do e mbushte sallën. U vërtetua në koncertin recital të Alban Skënderajt disa muaj më parë në Tiranë, kur të gjitha biletat u shitën shumë shpejt për të dyja netët dhe u bë e detyrueshme të mbahej dhe një e tretë. Për Elvanën, Flori Mumajesin e Ermal Mamaqi, nga ana tjetër, mjafton të shohësh vetëm profilet e tyre në rrjetet sociale ku janë ndër personazhet më të ndjekur në Shqipëri, që do të thotë automatikisht ndër më popullorët. Një zgjedhje kompromisi siç thoshte ai statusi i fshirë?
Oleni, shkruante para pak ditësh në profilin e tij, që “artistët e ftuar janë miqtë e mi, të cilët do ta përshëndesin publikun gjatë koncertit duke u shkrirë me stilin tim muzikor dhe duke performuar brenda së njëjtës atmosferë që sjellim unë dhe International Clandestine Orchestra”. Ndoshta kjo mund të jetë e vërteta e pastër. Ndoshta vetëm një pjesë e saj. Ndërsa Ermal Mamaqi ka qenë në Romë në nëntor, ku ndoqi koncertin e Cesarit atje, e Oleni ka qenë i ftuar në emisionin e Mamaqit, pak dihet për miqësinë mes tij dhe Florit apo Elvanës. Megjithatë edhe nëse ka menduar për të pasur një sallë të mbushur plot në koncertin e tij dhe i ka zgjedhur miqtë edhe me këtë ide në mendje, kush është ai që mund ta akuzojë dhe për çfarë?!
Sa më shumë të jenë, aq më shumë është e mundur që muzika e tij dhe e muzikantëve që e shoqërojnë të përcillet në vendin e tij. Aq më shumë Shqipëria do kuptojë, pse ky djalë i saj, është kaq i suksesshëm në botë.
Ndoshta për disa ose shumë, Oleni vetëm, do mjaftonte si arsye për të shkuar në sallën e Pallatit të Kongreseve dhe iu duket e tepërt zgjedhja e katër artistëve më të suksesshëm të momentit për ta shoqëruar, por kjo është formuala e koncerteve të tij e nëse kjo është një mënyrë për ta bërë edhe më masiv koncertin, ai nuk e kërkon fshehtas masivitetin. Sallave te vogla që rrethojnë zakonisht koncertet me muzikë klasike, iu është larguar prej kohësh. Tashmë e presin të mëdhatë. Siç është kjo. Para mijëra spektatorëve, talenti i padiskutueshëm i Cesarit do të bëjë për vete dëgjuesit e vendit të tij me interpretimin origjinal. Është kjo forma që ai jeton tani!

Olen Cesari, gjenialiteti mes numrash dhe njerëzish
Është studenti më i ri i diplomuar në Akademinë e Arteve të Tiranës, vetëm 14 vjeç.
Kur shkoi në Itali me bursë nga shteti shqiptar, ajo nuk i dilte për të jetuar bashkë me të ëmën sepse ishte më e ulët sesa qiraja e apartamentit. Dhe ai zbuloi sheshin Navona. Mori violinën, vendosi një kapele mbi tokë dhe luajti për disa muaj.
Kur hyri në konservator, bënte prova pasdite në një ndërtesë që e zotëronte Kisha e Vatikanit. Në dhomën e tij, ngaqë kishte piano, vinte të studionte edhe një prift pianist. Një herë e la, të dytën po, pastaj Oleni i tha që nuk mund të vinte gjithmonë aty. Vite më vonë, mësoi që ai prifti u bë papë. Ishte Papa Ratzinger.
Olen Cesari mban rekordin e konservatorit Santa Cecilia në Romë si student diplomuar në moshën më të re vetëm 17 vjeç.
Kënga fituese e San Remos në vitin 2007 “Ti regalero una rosa” është krijuar nga një improvizim që Oleni dhe Simone Christicchi po bënin pas një koncerti. Pas një jave Simone kishte krijuar tekstin, shkuan menjëherë ta incizonin dhe kënga fitoi San Remon.