Mos kini frikë! Nuk ka vend për panik! Është projekti më i ri i këngëtarit të njohur që këtë herë vjen krejt ndryshe nga të gjitha këngët dhe projektet e tij muzikore. Si shumë këngëtarë të rinj, por edhe ata që kanë një karrierë të gjatë muzikore, edhe Dylan ka eksperimentuar me slengun kosovar. Shumë pak kohë pas pjesëmarrjes në “Këngën Magjike”, me një baladë “A mjaftoj unë pa ty”, Dylan vjen në një zhanër tjetër – duke zbuluar një profil tjetër artistik, por duke treguar kështu që mund “të luajë” me talentin e tij, vokalin dhe, natyrisht, edhe me stilin origjinal.
‘Shotgun’ ka vetëm pak minuta që është hedhur në kanalin e Dylan në YouTube. Fabula është një histori me një personazh bipolar, i cili transformohet nga dhimbja e dashurisë në një “gangsta mafia”.
Duket se edhe ky “rol” i shkon profilit artistik të Dylanit, ama vetëm në skenat e klipit. Ky i fundit i ngjan një filmi, në të cilin nuk është e vështirë të kuptosh se sa i brishtë, por edhe moskokëçarës mund të jetë njëkohësisht një djalë që vuan nga dashuria.
Videoklipi është xhiruar krejt spontanisht. Siç tregon Dylan për revistën Class, gjithçka ndodhi gjatë rrugës për një Përmet – atje ku ishte vendosur nga stafi të xhiroheshin skenat e klipit. Por rrugës, krejt papritur ndodhi diçka e çuditshme që i bëri të gjithë të ndryshonin mendje: “Ishim nisur për një lokacion në Përmet, kur gjatë rrugës filloi një stuhi e tmerrshme, e papërballueshme. Siç ishim, u futëm diku për të mos na kapur shiu. Në atë moment e kishim humbur të gjithë, si unë, ashtu edhe stafi. Vetëm kur, krejt papritur, Albani (menazheri) hodhi sytë përreth dhe tha se pikërisht aty ku ishim ndalur ishte vend perfekt për të xhiruar dhe ashtu bëmë…”
Nga gjërat spontane, fare të paplanifikuara, lindin shpesh projekte të bukura. Edhe klipi i Dylanit këtë herë i tillë është. Por brenda këngës dhe videoklipit ka gjithmonë një shpirt artisti që plotësohet në çdo projekt të ri.
‘Shotgun’ është arma e fundit dhe, me siguri, do të pritet mjaft mirë nga fansat e Dylanit dhe dashamirësit e muzikës së tij.