“Nëse një shkrimtar apo poet bie në dashuri me ty, nuk do të vdesësh kurrë.” Kjo thënie e Mik Everett, në rastin tonë merr jetë jo me një vepër letrare, por me një këngë. Nuk janë pak këngëtarët dhe kompozitorët shqiptarë, të cilët janë frymëzuar nga partneri apo i kanë dedikuar një këngë atij.

Xhensila Myrtezaj dhe aktori i njohur i humorit Besart Kallaku jetojnë prej vitesh dashurinë e tyre, të cilën e kanë lidhur me fejesë. Këngëtarja i ka shprehur dashurinë partnerit të saj me këngën “Engjëlli im”, të cilën e ka prezantuar në Top Fest në vitin 2011. “Se ti je buzëqeshja e ditës për mua, je mëngjesi im”, është një varg romantik dhe i ndjerë që shpreh dashurinë e saj për Besin.

Në 2013-ën Aurela Gaçe dhe Skerdi kanë kurorëzuar dashurinë  e tyre, prej të cilës kanë dhe një vajzë. “Kur më puthe, kur më preke, kur më flisje, mendoja me vete, e bërtita zemra ime, e kam gjetur gjysmën time”, është teksti i këngës “Shpirt i shpirtit tim”, e cila u publikua në të njëjtin vit dhe i është kushtuar dashurisë të jetës së saj. 

Alban Skënderaj dhe Miriam Cani, që së fundmi janë bërë prindër,  janë gjithashtu një nga çiftet më simpatike të showbizz-it shqiptar. Dashuria e tyre numëron më shumë se tetë vite dhe ndër to Albani është frymëzuar shpeshherë nga e bukura Miriam. Një ndër këngët e tij të veçanta është dhe “Nëse thua PO”, e cila u bë hit verën e vitit 2013, në muajin korrik - muaj kur Albani i propozoi për martesë partneres së tij.

Nora Istrefi po ashtu ka shprehur dashurinë e saj edhe nëpërmjet këngës, për bashkëshortin  Robert Berisha. Në videoklipin e këngës “Baby jem”, e cila u publikua në maj të 2014-ës, ata shfaqen të dy në disa skena romantike.

Kantautori i njohur Gjergj Leka, dy vjet më parë ka kurorëzuar në fejesë lidhjen e tij me regjisoren Erisela Marko. Në Top Fest 11, ai u prezantua me këngën “Muzika e jetës sime”, sipas tekstit të së cilës, një person i veçantë fshihej pas frymëzimit të këngëtarit dhe dhe ai e ka pranuar që ajo është Erisela, e para femër që kantautori i kushton një këngë dhe pse historitë e tij kanë qenë të shumta. “Jemi me fat se këngët nuk vdesin, një ditë njerëzit ikin, muzika jeton”, vargje që shprehin pafundësinë e dashurisë.

Ernest Duka, i njohur me emrin e tij artistik Stine, është përfolur shpesh për lidhjen e tij me Roza Latin. Hiti i tij “Ishe ti” në vitin 2006, i është dedikuar pikërisht asaj pas ndarjes së tyre. Teksti shpreh qartë ndjenjat e këngëtarit dhe dashurinë që ai ka për Rozën, edhe pse lidhja e tyre kishte përfunduar. Roza është bërë burim frymëzim për disa nga këngët e krijuara nga artisti. Duke filluar që nga viti 2006, disa nga këngët që Stine i ka kushtuar dashurisë, me shumë gjasa edhe Rozës, janë: "Ike pa mua", “Pse”, “Besoja”, “Ishe ti”. Në një prej mbrëmjeve të spektaklit “Dance Ëith me”, ndërsa moderatorja Alketa Vejsiu i ka kërkuar Rozës të këndojë një nga këngët që ish-i dashuri i ka kushtuar asaj, ajo fillon të këndojë vargjet e këngës “Ishe ti”, dedikim të cilin duket që Stine ia ka kushtuar asaj.

Duke u kthyer mbrapa në kohë kujtojmë edhe këngën “Shoqes sime”, e cila është kompozuar nga Agim Prodani për Anida Taken, e cila dhe e ka interpretuar, edhe pse teksti është në gojën e një djali që e pyesin pse ka zgjedhur atë vajzë si dashurinë e jetës së tij dhe ai u përgjigjet “u them ka zemër për të qenë, prandaj dhe zemrën ia kam dhënë”.
  

Nga Roxhensa Luarasi