Kantautori Alban Skënderaj do të organizojë në datën 24 dhe 25 nëntor një koncert recital live unplugged në sallën e koncerteve të Kishës Ortodokse në Tiranë. Puna tashmë ka nisur duke bërë prova çdo ditë me këngët të cilat janë risjellë të gjitha në një variant të ri nga maestro Gent Rushi, aq sa disa në tingujt e parë edhe mund të mos njihen. Kjo sigurisht jo për të zhgënjyer fansat e Albanit që janë mësuar pikërisht me ata tinguj, por për t’i dhënë këtij koncerti edhe përmasën e një projekti të ri.

Albani synon, siç tha edhe në studion e “Wake Up”, një ditë më parë, që ky të jetë një koncert recital i përmasave botërore në të gjitha elementët, jo vetëm muzikë, por edhe cilësi zëri, ndriçim etj. duke ftuar mjeshtra italianë të inxhinierisë së zërit dhe ndriçimit për të realizuar efektet e duhura.

10 vjet pas debutimit të tij me këngën “Vetëm ty”, Skënderaj është një nga të paktët artistë, fansat e të cilit blejnë CD apo bëjnë playlista me këngët e tij për t’i dëgjuar në kompjuter apo makinë. Ai, është fakt, që është një nga ata këngëtarë, që pa zbehur rëndësinë e videoklipeve sot, dëgjohet!

Dhe në recital, në këtë ëndërr që po e bën realitet, fansat do kenë mundësi ta dëgjojnë live me kompozimet e deritanishme të risjella në mënyrë krejt të re, ku sigurisht është mjeshtëria e Gent Rushit, por dhe shpirti artisitik i Skënderajt që ata kanë pëlqyer gjithmonë, sepse gjithçka është realizuar në bashkëpunim. Në të dyja netët, do të jetë i njëjti repertor. Nxitoni për biletat! Shiten në "Spirit Travel" kati i dytë i Pallatit të Kulturës.