Violinisti i njohur shqiptar që interpreton në Vjenë, artisti i “Albanian Soul”, Shkëlzen Doli po rikthehet në Tiranë. Nuk është hera e parë që ai interpreton në Teatrin e Operës dhe Baletit, vitet e fundit, por ky koncert po realizon një ëndërr të fëmijërisë së tij, të luajë me Ansamblin Popullor.

3 ditë pas 1 qershorit, kjo dëshirë  merr edhe më shumë kuptim. Koncerti do të mbahet në orën 20.00, ditën e shtunë më 4 qershor me muzikë të tabanit shqiptar të përshtatur për violinë dhe orkestër popullore nga Gerti Druga.