Sopranoja shqiptare Enkelejda Kamani, soliste në Teatrin e Operës dhe Baletit dhe fituese e vendit të tretë në festivalin “Marije Kraja” është një nga gjashtë artistët e pranuar në Akademinë e Teatrit Scala.

Me siguri një përzgjedhje e rreptë artistësh nga e gjithë bota, të cilën e kanë kaluar vetëm gjashtë dhe mes tyre edhe sopranoja nga Shqipëria.

Klasa për vitet 2017/19, përbëhet nga një soprano, shqiptarja Enkeleda Kamani, një mezzosoprano, italo-gjermania Anna-Doris Capitelli, dy tenor të Lindjes së Largët, koreani Hun Kim dhe kinezi Chuan Wang  dhe dy baritonë, Lasha Sesitashvili nga Gjeorgjia dhe kiliano-argjentinasi Ramiro Maturana.

“Duke perjetuar emocione te papershkrueshme... Fituese e Akademise se Teatrit 'La Scala' 2017-2019 !

Faleminderit Zot! Faleminderit Dashuri Klodjan Kaçan”, ka shkruar dje, pas pranimit, sopranoja.

Tani mund të doni të dini kush është Klodjan Kaçani. Kjo pyetje vlen vetëm për publikun larg aktiviteteve operistike në vend, sepse Klodjani është gjithashtu një këngëtar shumë i talentuar i Teatrit të Operës dhe Baletit.

 

Po të shohësh profilet e tyre janë të mbushura me dashurinë për muzikën dhe për njëri-tjetrin. Ata janë njohur në mjediset muzikore dhe janë të fejuar.

Ku ka më bukur sesa dy të rinj të bekuar me dashuri dhe talent!