Yllka Mujo, një nga aktoret më të mira shqiptare, është përgjithësisht e rezervuar për intervista. Megjithatë në vitin 1994 ajo ka dhënë një intervistë për gazetaren Rudina Xhunga, e cila e ka publikuar në dritare.net.
Kjo intervistë, megjithëse është realizuar vite më parë, të jep kënaqësi, sepse të tregon për marrëdhënien e aktores me fëmijët që sot janë të dy të njohur, për atë që Yllka pret nga ata kur të dashurohen, ndërsa sot janë të dy të dashuruar. Mëson gjithashtu sesi para shfaqjeve, Yllka fliste me Elian që ajo të kujdesej më shumë për Amosin dhe sesi i merrte me vete në prova, herë të tjera, për të mos i lënë vetëm dhe kupton edhe më qartë sesi janë bërë sot aktorë aq të talentuar Elia dhe Amosi. Gjithashtu, është nga të paktat herë, kur Yllka edhe pse duke folur në përgjithësi, zbulon arsyet pse një martesë nuk funksionon, që duhet të jenë pikërisht arsyet pse martesa e saj me Gjergj Zaharian, nuk ka funksionuar. Flet edhe për dashurinë, shoqërinë shqiptare me një opinion që ndrydh, mundimin e një aktoreje në Shqipëri për të mbajtur edhe skenën dhe familjen. Është koha, kur pasi emigroi së bashku me fëmijët në Itali e Greqi, e ku iu desh të bëjë edhe punë të zakonshme, Yllka është kthyer në Tiranë me atë pasion për skenën që nuk e kishte braktisur kurrë.
Ç’raport ruanit atje me ndjesitë e ish-aktores?
E ruaja gjallë ndjenjën e aktorit. Kjo s’bëhet në mënyrë të programuar, por ndodh instinktivisht. Ndjesitë e provuara në Shqipëri mua më mungonin, e sa më tepër ua ndjeja mungesën, aq më shumë ua kuptoja domosdoshmërinë.
Një eksperiencë jashtë për aktorin është zhgënjim?
Varet dhe ç’ka menduar të gjejë. Nëse ka menduar të ballafaqohet për të fituar e ka të vështirë. Gjithë artistët e kanë të vështirë, por aktorët më shumë, pasi është gjuha që i pengon. Megjithatë vlerat ekzistojnë dhe të vjen mirë kur ato vlerësohen, siç është rasti i Timo Fllokos dhe aktorëve të tjerë shqiptarë tek filmi i Liri Begesë. Por, mendoj, se të dalësh fillikat nëpër botë për të kërkuar suksesin, është një stërmundim i madh nëse e arrin dhe një zhgënjim edhe më i madh nëse s’e arrin.
Tani që i jeni rikthyer skenës, ndjeni t’ju mungojë ambicia apo pasioni?
Largimi më ka shtuar ambicien. Për mua skena ka qenë dhe mbetet gjithçka. Çlirimin tim si njeri unë atje e shoh. Kur hipi në skenë nuk dua të di ç’ekziston tjetër. Kam një ngarkesë të plotë dhe një shkarkesë të plotë.
Gruaja shqiptare e ka të pamundur të kujdeset njëkohësisht për karrierën dhe jetën familjare?
Pothuaj të pamundur. I duhet të braktisë njërën.
Ju cilën braktisët për hir të tjetrës?
Karrierën po e le, të la. Ndërsa në jetën familjare mund dhe të kesh hope pushimi. Para provave për një shfaqje unë flas me vajzën. I them se këtë muaj do jem e zënë dhe s’do kem mundësi për të ndenjur me të, ndaj i kërkoj të më ndihmojë duke u marrë pak më shumë dhe me të vëllanë. Pastaj herë pas herë i marr në prova. Kështu me shumë sforco i bëj të dyja, duke i dhënë impulse kryesore shfaqjes.
Dukeni, apo jeni e palumtur?
Kush ka kërkesa për veten asnjëherë s’është e lumtur. Pastaj lumturia si nocion është e papërcaktuar. Herë-herë unë qesh, loz si fëmijë. Herë-herë qaj si fëmijë.
Kur keni qarë për herë të fundit?
Kur pashë “Gruaja e bukur” me Richard Gere.
Pra qani nga përrallat?
Jo, qava sepse, ja, njëri, putanën e shndërroi në zonjë, ndërsa këtu paturpësia mashkullore po i shndërron zonjat në putana.
Burrat shqiptarë janë despotë të paemancipuar, apo janë si gjithë burrat në botë?
Unë burrat e botës s’i kam njohur, por duke bërë njëfarë krahasimi them se shqiptarët janë njerëz me të vërtetë inteligjentë, veç më tepër respekt për femrën duhet të kenë. Mungesa e respektit për tjetrin e ka zanafillën tek mungesa e respektit për veten.
Ç’vlerësoni te një burrë, mashkulloritetin fizik, apo atë intelektual?
Gati vetëm intelektin, finesën e fjalës, sensin artistik, fuqinë shpirtërore.
Keni njohur ndonjë njeri të tillë?
Në rini.
Dhe s’e braktisët për të karrierën?
Jo, edhe pse m’u kërkua.
Rolet tuaja, bukuria, ikja ju dhanë epitetin e aventurieres…
Aventurën s’e kam dashur kurrë. Aq më pak tani. Më pëlqen lidhja e fortë, e vërtetë. E urrej opinionin që të vëzhgon e të ngacmon, që shton e sajon. Do i lutesha këtij opinion ta lerë të qetë artistin, të jetojë e të krijojë.
Ç’mendoni për një martesë? Para se ta hedhësh atë hap, duhet menduar mirë, apo s’duhet menduar fare?
Herë-herë gjërat mendohen shumë dhe s’përfundojnë mirë. Për këtë s’ka receta.
Ç’e shkatërron një martesë?
Mostoleranca. Të mosmenduarit thellë në një moment të caktuar. Mospërputhja e karaktereve. Pamundësia për të gjetur tek partneri ato që ke ti dhe ato që kërkon, që sjell pastaj pamundësinë për t’u shprehur, për ta dashur, për të rritur me të fëmijët.
E nëse një martesë shkon keq, duhet këputur, apo duhet tërhequr zvarrë?
Duhet këputur. Nëse një martesë është pamundësisht e lidhshme, atëherë është e zgjidhshme.
Ç’mendoni për modën: burrë plus i dashur?
Është një hipokrizi që unë s’e përballoj dot. Por hipokrizia më e madhe është se ky banalitet justifikohet me faktin, se bëhet për fëmijët. Një familje e tillë nuk rrit fëmijë, por i shkatërron, i vdes.
Jeni nënë e rreptë me fëmijët tuaj, apo i lini të rriten?
Mbi dashurinë dhe logjikën ndërtoj bazat e marrëdhënieve me fëmijët. Nuk jam për liri absolute, por as për frenimin që bën më të madhe dëshirën e arratisjes. Mundohem të krijoj marrëdhënie miqsh. Flas me ta, seriozisht për gjithçka, duke i parapërgatitur për të mirën dhe të keqen. Fëmijët janë shtysa dhe frenimi im.
Do iu ndërhyni në edukatën sentimentale?
Nëse vazhdon ky lloj raporti duke u rritur do jenë ata që do e kërkojnë.

Po ju ç’raport keni pasur me nënën tuaj?
Nëna ngelet gjëja më e pastër për fëmijën. Që të mos ndyhesh, tek ajo duhet të drejtohesh. Kujtoj që dikur, i kam vënë kokën në prehër dhe i kam thënë: “Kam rënë në dashuri, mami!”
Ç’ndjesi ju shkakton vetmia?
Me vetminë duhet të miqësohesh, pasi si thotë francezi: “Më mirë vetëm, se i shoqëruar keq”.
Si ka ndryshuar Yllka e shfaqjes dhe e passhfaqjes, nga vajza në grua në nënë?
Yllka e shfaqjes është e njëjta. Po ai pasion. Tani është pjekur si aktore. Yllka vajzë, e passhfaqjes, dilte në rrugë me vrap dhe kërcente nga gëzimi. Me duart plot lule, mezi priste dikë t’i tregonte. Yllka grua, kur mbaronte shfaqja, donte të kishte dhe një shfaqje tjetër para se të kthehej në shtëpi. Yllka nënë, del pa u vënë re dhe shkon të kontrollojë, në flenë fëmijët, në hëngrën, në i bënë detyrat.
Bëjini vetes një pyetje, që do kishit dashur t’jua bëja unë gjatë intervistës.
Kam dëshirë të pyes veten: “Ç’është për ty nata?” E kam dëgjuar ta bënte shpesh Marxullo në televizionin italian dhe më ka pëlqyer përgjigja e Quinit: “Për mua nata është ëndërr”. Dhe unë dua ëndrrën. Pa të, s’do mund të jetoja.
Intervistën e plotë e lexoni në dritare.net