Në tarracën e asaj që ka ngelur nga hotel “Vollga” në Durrës, Vlashent Sata, muzikantët e tjerë, ekipi që xhiron, të ngjajnë me lojëtarët më të fortë të të gjitha kohërave: ata që luajnë mes pluhurit e gurëve në lagjet e vjetra, me këpucët njëri ndryshe, tjetri ndryshe, të gatshëm të thyjenë kockat në lojë, thjesht për pasion.

Vetëm që këta këtu, luajnë të gjithë bashkë, kundër askujt. Dhe kockat qenkan të forta, që mbajnë gjithë ato emocione. “Vollga Live Session” është produkt i xhirimeve të realizuara pa dubla, pa montazh, pa grim, jashtë studiove, gjatë të cilave Vlashenti dhe muzikantët e tjerë luajnë live pesë nga këngët e tij. Janë 27 minuta për së gjalli! Ai tregon, ndjen, jeton e vuan!  Dhe prandaj pasi e dëgjon për herë të parë, pasi ndjen bashkë me të, duhet të ndalosh pak për t’iu rikthyer atij paketimi të ngjeshur ndjenjash. Është e fortë dhe çliruese në të njëjtën kohë. Është e sigurt, gjithsesi, që nuk është një produkt për konsum të shpejtë.

Videoja është xhiruar prillin e kaluar, fill pasi koncerteve të Elina Dunit në Prishtinë e Tiranë, ku Vlashenti këndoi 4 krijime të tij me kitarë. Kur tha që donte të realizonte një projekt më të madh, nuk kish pi. Nuk ish as pranvera që në Tiranë vjen më shpejt sesa në Paris. Ishte muzika. Ishin njerëzit. E pa që ëndrra për të kënduar para një publiku të madh kishte jetë dhe në realitet. Dhe pse të priste më?! Si të priste?!

Me dëshirën për të realizuar një video për një këngë, takon Erfort Kuken e Kube Studios, një Romë, ku po e çonin në një farë mënyre të gjitha rrugët. Eri ishte shumë i gatshëm, por kishte një problem… “E kisha të vështirë të zgjidhja se cilën prej këngëve që kisha shkruar, do të realizoja me video. Nuk kam ditur kurrë të zgjedh”. Po këtë herë nuk ishte prej kësaj, nuk ishte as prej efektit anësor paralizues të lirisë për të zgjedhur “Ne nuk kemi qenë kurrë më të lirë sesa gjatë pushtimit gjerman”, ka thënë Sartri. Eri i propozoi të organizonte një mbrëmje muzikore, ku ai të këndonte, ndërsa stafi që do  merrej më pas me realizimin e videos, të zgjidhte. Dhe zgjodhën: do të xhiroheshin të gjitha.

Ishte prej  muzikës së Vlashentit.

Vendi ideal për Eri Kuken ishte një ndërtesë gati mitike në Durrës, ish-hotel Vollga. Me një spirale shkallësh, si ajo e së shkuarës tek e cila zbresim e ngjitemi në kërkim të diçkaje, pa i shpëtuar dot. Me suvanë e plasaritur, muret e dëmtuara, si një vështrimi rrezesh që nuk i shpëton asgjë e që shkon deri në thellësi, si këngët e kënduara aty. E rrënuar, e harruar, por kaq e gatshme për të marrë jetë nga jehona e instrumenteve muzikore që u instaluan në të. Si kujtimet e fëmijërisë që mjafton një aromë për t’i ngjallur. Apo ato të dashurisë. Dhe ndërkohë që bota rrotullohet, ti dhe kujtimet keni ndalur…Ishte vërtet vendi ideal.

“Kemi xhiruar gjatë gjithë ditës. Nga ora një pas mesdite deri në katër të mëngjesit”, thotë Vlashenti, ndërsa emrat që përbëjnë këtë shumës janë ato të muzikantëve Genti Rushi, Ermal Rodi, Gerti Hima, Enver Muhamedi dhe stafi i Kube Studios që realizuan një regjistrim që vjen për herë të parë në Shqipëri për nga mënyra e xhirimit dhe teknologjia.

Vlashenti këndon pesë nga këngët e tij në Live Sessions dhe në secilën tregon. Edhe në krijimet e reja, pas largimit në Paris, që do të jenë pjesë e albumit dhe koncertit që  pret të organizojë në prill, vazhdon të tregojë… Për fëmijërinë. Shokët. Familjen. Për ngjarjet e vogla të së shkuarës, përthyer në ndjesitë e atyre që janë larguar nga vendi i tyre dhe që, dhe në çastin më të lumtur, frymëmarrja e gëzimit u gjen një pikë në kraharor: diçka mungon! Dhe sigurisht për dashurinë! Siç bën tek i këndon asaj “Ëmbël”, kënga e parë e Live Session.

Foto: Blerta Kambo

Ndonjëherë ai mendon që do ishte mirë që ndonjë nga tekstet e këngëve të këtij albumi, të buronte nga dikush tjetër. Nuk mund të justifikohet që nuk e ka gjetur poetin e ri, mund të gjente fare mirë poezi të vjetra, të kërkonte mes vargjeve të poetëve të mëdhenj shqiptarë që e kanë ushqyer për vite... Nuk është kjo. Ai tani nuk ka nevojë të ftojë një tregimtar të ri, ai ka nevojë të tregojë vetë, të flasë, të thotë thjesht çfarë i rri në gjoks.  “Këngët janë shërim i plagëve të mia, janë këngë të përjetuara, shumë personale, me dhembje që shkojnë deri në kockë. I kam bërë vetë, por dua t’ua dhuroj të tjerëve.” Ai mendon që çdokush mund t’i bëjë të tijat ato motive, sa kohë ato vijnë në formë pavetore, por kjo është për t’u provuar…Këngët e tij ngelen personale edhe pse kanë dalë tashmë prej thellësive. Por jo të huaja gjithsesi! Dhe meritë e kësaj është sinqeriteti me të cilën tregon. Brenda këtij rrethi të krijuar, ndjenjat le të jenë të kantautorit, ai ka hapur zemrën dhe të gjithë janë të gatshëm për të bërë të njëjtën gjë me ndjenjat e tyre.

Këngët vijojnë me “Këmbëzbathur”…Është një këngë për njeriun që jeton në rrugë, tempullin e asaj që ka ngelur e vërtetë, e paleckosur nga ngjitja në shkallët e shoqërisë. Dhe fizarmonika e klarineta shoqëruese janë aty për ta shprehur me tinguj, por edhe vizualisht këtë prekje tokësore, natyrale e të patjetërsuar. Tingujt ndizen shfrenuar si shkrepëset e shitëses së vogël për ta treguar dritën, për ta ushqyer zjarrin e së mirës. Dhe ajo nuk ngrin në këtë përrallë të Vlashentit.

Dëgjohet shumë poezia në këngët e tij. Gegnisht. Si origjina shkodrane e prindërve dhe gjuha me të cilën i pëshpërisin kujtimet e fëmijërisë. Me ato pjesoret varg “Ëndërruar”, lumturuar, buzëqeshur… si stilistikë sigurisht, por edhe si shprehje që ato çfarë tregon janë gjendje, ndjesi, shenja prekjesh të vjetra që nuk duken me sy.

Ashtu si dëgjohet dhe pianoja, kur ai vë gishtat mbi tastierë. Është një muzikë përmbushëse, e vëtmjaftueshme, si ndjesia e të qenit në shtëpi. Sado drithëruese të jetë tenda buzë detit, natën, rreth zjarrit, me kitarë, të gjitha vitet e mundshme të formimit akademik të shpenzuara për këtë instrument, e bëjnë pianon, një shtëpi të sigurt guri, ku Vlashenti njeh çdo aromë e çdo qoshe. Prandaj dhe në koncertet e prillit, ai do të jetë kitarë e dytë dhe do të luajë në piano. Teksa tregon “Tregimin e Fluturës”, duke luajtur mbi tastierë, të bën të dyshosh…Te “Legjenda e pianistit mbi oqean” në garën e pianistit që vinte nga deti dhe atij që vinte nga toka, a ka një provë kur një flutur rri pezull prej tingujve që avullojnë nga fijet e çelikut të pianos së hapur? Është kjo kënga e fundit e Live Sessions, ku sigurisht nuk mund të mungojë Hana.

Hana në video shfaqet atëherë kur mbi Vollgën në Durrës bie nata. Është një këngë e njohur tashmë, gati identifikuese, prandaj nuk ke pse pyet pse albumi do mbajë të njëjtin emër. Ka ndër mend ta regjistrojë në Prishtinë, në fund të prillit kur do vijë për koncertet, me ata muzikantë që e kanë shoqëruar në video dhe të tjerë. “Armend Xhaferri do jetë në kitarë, Enver Muhamedi në bass, Gent Rushi në fizarmonikë dhe sintetizator, Ermal Rodi në klarinetë, flicorn dhe trompë, në bateri Enes  Bajramlliqi, nga grupi Cute Babulja”.  Këngët i ka gati, si Hana që është atje gjithmonë, por që vetëm pas asaj fazës së regjistrimeve, do mund ta shohim të plotë.

Sa për koncertin që do realizohet në fund të prillit, ka vendosur që të ardhurat të shkojnë të gjitha për fëmijët jetimë, për t’u mundësuar leksione dhe instrumente muzikore. Do t’u jepet këtyre fëmijëve diçka më shumë sesa ca çaste të gëzuara, do t’u jepet një ushqim për shpirtin, një mundësi jetëgjatë, duhet një vëmendje që shpreh përkushtim, më shumë sesa një shprehje dashurie kalimtare…

Sigurisht asgjë nga këto nuk është e lehtë, nuk është e lehtë të luftosh me indiferencën, apo mosbesimin, por tani pjesa më e madhe e rrugës është bërë. E asaj rruge që nisi ta projektonte prillin e kaluar në Tiranë. Kohë gjatë së cilës, kompozoi këngë të reja për të mbërritur në 11, një numër që e justifikon një album, por…Vlashenti ka ende për të treguar! Dhe nuk i dihet a do ndalet me kaq. Madje, pas koncerteve që do mbajë këtu, do ta çojë muzikën e tij në Paris, atje ku në të vërtetë ka çelur çdo këngë dhe pse… me rrënjët në Shqipëri, ku pranvera vjen më herët. Për të treguar dhe atje … “Ëmbël”…Ja ku e gjen veten që i je kthyer “Vollga Live Session”…

…………………………………………………….

“Kurrgjâ në mos kjosh i zoti me bâ, rrno vetëm për me tregue”… i kish thënë At Marin Sirdani, At Zef Pllumit. I njëjti At Marin Sirdani kish qenë superior në Kolegjin Franceskan të Shkodrës në kohën kur atje mësonte basi më I madh shqiptar Lukë Kaçaj, profesor dhe mik i babait, mikut dhe mesuesit të Vlashentit, muzikologut Loro Sata. Vlashenti e ka takuar fëmijë Lukë Kaçajn dhe është rritur edhe me atë lloj energjie, të artit dhe mirësisë që kalon mes dhembjeve…Është vetëm një pjesëz jete, por gjithçka ndodh na bën këta që jemi. Deri sa vjen një ditë, kur vendosim, si mision ose nevojë…të tregojmë!