“Sapo mësova që jam emëruar Kalorës i Arteve dhe Letërsisë! Po ku është kali im? Dua një menjëherë” shkruan Tedi Papavrami në një status në Facebook pak ditë më parë. Me gjithë humorin, lajmi mbetet lajm. “Ambasada franceze në Zvicër më ka lajmëruar që më është dhënë ky titull nga Ministria Franceze e Kulturës duke më kërkuar adresën për të ma dërguar, por nuk e kam marrë fizikisht ende sepse jam në udhëtim”, thotë Tedi për Class. Ai aktualisht është në udhëtime koncertore dhe sot dhe nesër do të interpretojë në Nantë.
Titulli “Kavaljer” është një nga gradat e Urdhërit të Arteve dhe Letërsisë, një urdhër francez themeluar në 2 Maj 1957 nga Ministri i Kulturës dhe statusi i tij si plotësues i Urdhërit kombëtar të Meritës u konfirmua nga presidenti Charles de Gaulle në vitin 1963. Qëllimi i tij është njohja e kontributit të veçantë në art, letërsi apo propagandimin e këtyre fushave.
“Zakonisht është një personalitet i rëndësishëm që e propozon, në rastin tim nuk di kush e ka propozuar", vazhdon Tedi duke mos lënë pa përmendur që ky titull i është dhënë kohët e fundit njerëzve nga horizonte të ndryshme, nganjëherë në mënyrë fare të pajustifikuar, si çdo titull...
Në të njëjtin kohë, fondacioni LVMH (një fondacion i grupit LVMH Moët Hennessy - Louis Vuitton që ushtron veprimtarinë e tij në fushën e kulturës, artit dhe trashëgimisë duke mbështetur talentet) i jep hua një violinë të famshme Stradivarius "Le Reynier" e vitit 1727. Gjatë këtyre viteve, Papavarami ka interpretuar me violinat e përgatitura nga një liutajo i talentuar francez Christian Bayon.
Tedi Papavrami përveçse një nga violinstët më të njohur në Francë dhe pse prej vitesh jeton në Gjenevë të Zvicrës, njihet atje edhe si përkthyesi në frëngjisht i librave të Ismail Kadaresë prej më shumë sesa 12 vitesh dhe autor i librit autobiografik “Fugë për violinë”. Ky libër u botua në maj edhe në Shqipëri, i përkthyer nga Blerta Hyska, kohë gjatë së cilës Tedi realizoi edhe dy koncerte për violinë solo me 6 partitat dhe sonatat e Bahut. Pas Shqipërisë, libri u botua edhe në Turqi ku Tedi gjithashtu mbajti koncerte.
Libri “Fugë për violin” është sprova e tij e parë në letërsi dhe pse serviret si autobiografik.
