Podcast është një fenomen medial që në dekadën e fundit ka një shpërthim përdorimi në SHBA. Fjala është për radio emisione të shkurtra që mund të dëgjohen kudo dhe kurdo, nëpërmjet telefonit, kompjuterit apo edhe nëpërmjet aplikacioneve të mençura të instaluara në automobilat e viteve të fundit. Sipas revistës Forbes, në vitin 2017, 25 përqind e amerikanëve e dëgjonin rregullisht së paku një Podcast, ndërkaq në vitin 2018 numri i dëgjuesve të podcast është rritur deri në 44 përqind.
Shpërthimi i rritjes së përdorimit të podcast ndërlidhet edhe me faktin që Apple stimulon fuqishëm përdorimin aktiv të podcastit - versionet e reja të iOS e kanë të integruar aplikacionin për Podcast. Është interesante që shqiptarët vrapojnë të blejnë modelin e fundit të Iphone, por shfrytëzojnë pak nga aplikacionet që janë unike dhe të veçanta për Iphone. Nga ajo që kam parë shumica e kanë fshirë fare aplikacionin e integruar të Apple Podcast dhe, për mua, kjo është dëshmi që, së paku te shqiptarët, Iphoni është një dekor, një element më shumë në stolitë e shtrenjta që i mbajmë për tu dukur para të tjerëve, dhe jo një mjet shumë i sofistikuar që ofron pafund shumë mundësi.
I vetëdijshëm që në këtë botën tonë të vogël, plot me iPhone e pajisje të tjera, pajisjet e shtrenjta përdoren veç për tangerllëk, pas një përgatitjeje të gjatë dhe një investimi jo të vogël, jo vetëm financiar, kam nisur projektin "Filozofia Urbane", podcast i parë në gjuhën shqipe si dhe një sprovë e re për mua. (filozofiaurbane.com)
Në vitin 2011 isha i pari që e sprovova veten duke prezantuar shkrimet e mia në rrjetet sociale, asokohe diçka e paparamendueshme për kontekstin tonë kulturor dhe si rrjedhojë pati reagime deri edhe idiotike, por kjo asnjëherë nuk më ka dekuruajuar që vazhdimisht të kërkoj forma të reja për të shprehur atë që kam në shpirt.
Podcasti “Filozofia Urbane” më jep mundësinë që të elaboroj mendimet e mia për tema të ndryshme, por edhe të përgjigjem në pyetje të caktuara të lexuesve dhe fansave të mi. Platforma është tërësisht interaktive, si në iOS, Android apo Windows, e tëra që ju duhet është të shtypni butonin â?¶
Dëgjim të këndshëm dhe mos ngurroni të më shkruani!
Në ndërkohë, për aq sa të kam jetë dhe të jem në shëndet të mirë, do të vazhdoj të shkruaj.