Në moshën 74 vjeçare është ndarë nga jeta një prej ikonave të muzikës së lehtë popullore shqiptare, Shahindere Bërlajolli.

Lajmin e ka bërë të ditur djali i këngëtares, muzikanti Ardit Stafa, përmes një postimi në Facebook ku ka treguar se nëna e tij ka ndërruar jetë pas mesnate.

Zonja Bërlajolli ka lënë pas një karrierë të suksesshme muzikore të nisur në moshë fare të re, si 13 vjeçare.

Ajo ishte fituese e pesëfishtë e festivalit më prestigjioz të asaj kohe “Akordet e Kosovës” prej ku doli me performancat dhe hitet e radhës siç janë këngët: “Në zabel të erdha”, “Miriban”, “Kush ma i pari bani”, “Gajdexhiu”, “O bylbyl me pika-pika”, “Hajde dalim moj goce”.

Zonja Bërlajolli përfaqësoi vendin edhe jashtë, duke sjellë çmimet më artistike. Ndër vite karriera e kësaj ikone kosovare rritej dhe zhvillohej edhe më shumë me pjesëmarrjet e saj e me këngët origjinale. Zëri dhe mënyra e të kënduarit autokton e bën këtë këngëtare një ikonë të vërtetë të muzikës popullore kosovare. Zëri i saj u dëgjua shumë larg, kudo nëpër botë dhe ngado që këndonte, trofetë ishin pjesë e saj.

Repertori i Shahindere Bërlajollit numëron 280 këngë, shumica e të cilave janë të regjistruara në Radio Prishtinë dhe në vende të tjera regjistruese. Gjatë karrierës së saj 55-vjeçare, Shahinderja do të bëhet letërnjoftim me këngët shumë të dëgjuara, zëri i saj unik do dallohej menjëherë që sot e kësaj dite.

Publiku i këndon edhe në ditët e sotme këngët e saj me shumë dashuri dhe nostalgji, siç janë: “Në zabel të erdha”, “Miriban”, “Kush ma i pari bani”, “Gajdexhiu”, “Baresha e dashnume”, “Lules”, “Hajde dalim moj goce”, “O bylbyl me pika-pika”, “Një lule në Gostivar” dhe shumë këngë të tjera. / prive.al