Ka marrë një pamje krejt të re, larguar nga ngjyrat e zbehta dhe hijet e grisë Universiteti i Mantovës në Itali. Ndërtesa e projektuar në vitet ‘70 nga arkitekti Paul Bulli, së fundi i është nënshtruar një rikonstruksioni nga Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Me ftesë të kryetarit të bashkisë të Mantovës, Mattia Palazzi, dhe drejtorit të urbanistikës, Lorenza Baroncelli, projekti për rikonstruksionin dhe lyerjen e fasadës së këtij universiteti ka nisur më shumë se dy muaj më parë (27 tetor).

Revista e njohur italiane Arttribune, por edhe gazetat lokale të Mantovës (www.gazzettadimantova), kanë vënë në dukje detajet artistike të Kryeministrit shqiptar dhe shijen e hollë për të luajtur me ngjyrat e thella.

Transformimi urban me ngjyra – një ndër pikat e tij më të forta gjatë viteve si kryetar bashkie i kryeqytetit shqiptar – ka qenë edhe njëra prej arsyeve të kësaj ftese nga kryetari i bashkisë së Mantovës. Siç shkruan Arttribune, projekti me vlerë jo më shumë se 40 mijë euro (39,391.51 euro) është dhuratë e Kryeministrit shqiptar për qendrën universitare. Më shumë se sa një restaurim dhe ndryshim fasadash, sipas revistës, kjo është një vepër artistike që flet me gjuhë moderne.

Në vend të ngjyrave të zbehta ekzistuese, tani të gjithë hapësirën universitare e mbulon një blu e thellë, e cila shkon deri në hapësirat më të imta: qendrat sportive, fasadat e jashtme, qendrat komunitare, korridoret apo rrethinat e kësaj hapësire universitare, në pothuaj çdo centimetër tani janë të mbuluara nga bluja e thellë – e cila i jep një identitet të ri të gjithë kësaj zone.

“Me një ndërhyrje të tillë artistike rikuperojmë një hapësirë shumë të rëndësishme, – shpjegon kryetari i bashkisë së Mantovës, - duke theksuar dhuratën e Kryeministrit shqiptar për strukturën e re dhe bukurinë që i ka dhënë kësaj hapësire të madhe në Universitetin e Mantovës: “Qëllimi ynë është që me anë të tenderëve ndërkombëtarë t’u japim mundësi artistëve, designer-ave dhe arkitektëve të huaj që duan të zbukurojnë qytetin tonë”, – shton ai.

Një detyrë sa të thjeshtë në dukje, aq edhe ambicioze, e ka quajtur revista projektin e Kryeministrit shqiptar, për të cilin nuk harron të përmendë edhe famën e tij në të gjithë botën për ndryshimin e fasadave komuniste në Tiranë dhe çmimin si Kryebashkiaku më i Mirë në Botë për vitin 2004.



