O sa vështirë me pranu me qen shqiptar ndonjëherë! Prej përvojave të mëparshme diskiriminuese, apo dhe paramendimeve vetjake, mos origjina shqiptare do e penalizonte në rrugën e karrierës në Greqi ndaj dhe prej shumë kohësh ka fshehur identitetin e saj shqiptar. Por nuk mund të vazhdonte kështu përgjithmonë. Këngëtarja sexy vazhdon të korrë sukses në shtetin grek dhe pasi e pranoi hapur origjinën. Eleni Foureira ose ndryshe, Entela Fureraj, e lindur në 7 mars 1987 në qytetin e Fierit, është një ndër këngëtaret më të famshme dhe më të diskutuara në shtetin fqinj.

Hapat e para drejt muzikës dhe showbizz-it i hodhi duke qenë pjesë e grupit femëror Mystique në 2007-ën. Eleni dallonte nga vajzat e grupit për shkak të ngjyrës ulliri të lëkurës, kishte propocione ideale dhe flokë me prerje afro. 2010-a e gjeti të ndarë nga grupi, pasi ajo filloi karrierën solo dhe promovoi punën e saj të parë diskografike.

Tashmë ajo numëron më shumë se 20 hite muzikore në rrymën pop, hip hop dhe dance, bashkëpunime me këngëtarë grekë dhe të huaj, si dhe çmime si këngëtarja më e mirë femër apo këngëtarja e vitit. Kur del në skenë, ajo realisht shpërthen dhe bën shumë femra xheloze për linjat dhe lëvizjet e saj. Mjafton të dish që e kanë quajtur “Beyonce greke” për ta imagjinuar.

Problem i vetëm që ka hasur gjatë rrugës drejt famës ka qenë origjina e saj. Temë kjo, për të cilën Eleni, shpesh ka refuzuar të përgjigjet dhe është munduar ta anashkalojë. Por thashethemet rreth prejardhjes së saj nuk janë ndalur, deri në momentin që ajo e pranoi origjinën, në një intervistë për revistën online Kool. “Kam fshehur që kam lindur në Shqipëri, për shkak se kur shkoja në kompanitë diskografike, ata nuk donin as ta dëgjonin. Ndaj dhe vendosa se nuk do lejoja asgjë të më ndalonte për të arritur atë që doja”- është shprehur ajo. Gjithashtu ka pranuar se e ka përjetuar shumë diskriminimin në shkollë, por edhe kur ka hedhur hapat e para në muzikë. Megjithatë, duket se nga e gjithë kjo situatë ajo ka dalë më e fortë pasi nuk është dorëzuar kurrë. “Nuk më shqetëson më asnjë thashethem. Kam arritur gjithçka me punë dhe me vlerat e mia kam vërtetuar se meritoj të jem këtu ku jam. Publiku më do si Eleni, jo për origjinën”- ka thënë këngëtarja e njohur.

Edhe përsa i përket jetës së saj personale Eleni ka qenë gjithmonë në qendër të vëmendjes. Pas lidhjes shumëvjeçare me futbollistin e kombëtares greke Giorgos Samaras, ajo po përjeton dashurinë në krahët e partnerit të saj të ri, Spiraggelos Likudhis, i cili zotëron linjën e tragetëve Kefalonian Lines. Që prej marsit të 2015-ës, ata ndajnë historinë e tyre nën një strehë, por ende nuk është dëgjuar diçka rreth hapit të rëndësishëm drejt altarit.
Përveç muzikës, ajo njihet edhe si stiliste dhe aktore…
