Mëngjesin e sotëm këngëtari i njohur grek Pantelis Pantelidhs, që bëri mijëra njerëz të çdo grupmoshe të dëgjojnë, të këndojnë dhe të përshtaten me tekstet e këngëve të tij, humbi jetën në një aksident tragjik, në moshë 32 vjeçare. Në orët e para të mëngjesit ai u nda nga jeta, kur po kthehej nga një skenë muzikore ku kishte performuar, pasi makina që po drejtonte doli nga rruga.

Pandelis, kishte pak vite karrierë por shumë arritje, bashkëpunime me emrat më të suksesshëm të showbizz-it grek si: Vasilis Karas, Giannhs Ploutarxos, Paola, Despoina Vandi etj, për të cilët kishte shkruar edhe tekste këngësh. Këto ishte pikërisht ato që e bënë atë të dashur në pulik dhe që arritën ta fusin atë në çdo familje greke dhe jo vetëm. Tekstet e ndjera, tekste të frymëzuara nga histori personale ose histori të afërmish. Kështu u bë dhe i famshëm. Pas ndarjes së tij, ai shkroi një këngë të cilën e këndoi vetëm me shoqërinë  e kitarës dhe e publikoi në Youtube, pa trokitur në portën e asnjë studioje diskografike. Pas klikimeve të shumta që mori vazhdoi me tekste dhe këngë të tjera. Ky ishte hapi më i suksesshëm që hodhi. Kompanitë diskografike pasi zbuluan talentin e tij, bënë çmos që ta bënin pjesën e tyre.

Kënga e tij që u kthye në himn në shtetin fqinj, ishte kënga që shkroi pas ndarjes me dashurinë e tij të madhe pas një viti e gjysmë lidhje. Nuk ishte tekst që përmbante vetëm dhimbje, kishte dhe optimizën në vetvete. Kur është pyetur këngëtari se si arrin që në këngët e tij të nxjerrë dhimbje me qëllim të mirë, ai ka thënë se: “Ndarjen e festojmë, sepse kur diçka vdes, diçka e re lind”. Ndaj dhe me tekstet e këngëve të tij shumë të rinj janë dashuruar, kanë qarë, kanë qeshur dhe kanë përjetuar ndarje.

Sot askujt nuk i besohet lajmi i trishtueshëm për djalin e talentuar që erdhi dhe iku shpejt, as 50.000.000 ndjekësve të tij në rrjetet sociale, kryesisht në Youtube, as këngëtarëve të tjerë që nuk kanë rreshtur së postuari mesazhe ngushëlluese për të dhe familjen e tij. Imazh tragjik mbetet e ëma e tij, të cilën e kishte pikë të dobët dhe i kishte kushtuar këngën me titull të njëjtë me emrin e saj “Athina”.