Djaloshi nga Tetova, Blerim Destani, dëshirën për aktrim e kishte shfaqur qysh në moshën dhjetëvjeçare. Kësisoj, ai në moshën 14 vjeçare, u angazhua në rolin kryesor, në filmin televiziv “Atje ku nuk lind dielli”. Këtu, edhe nisi rrugëtimi i tij për të mos u ndalur kurrë, por duke u bërë gjithnjë e më i afirmuar në qarqet evropiane dhe botërore.

Arti i shtatë, i hyri në gjak, dhe sakaq ndoqi mësimet për aktrim në Londër. Kësisoj, ftesën më serioze, Blerimi e mori në virin 2004 për të qenë pjesë e një filmi. Mirëpo, vëmendjen e tërhoqi me rolin e Benit te filmi televiziv i Sunaj Raçes, ‘Metropolet’, ku iu vërejt një talent i lindur dhe një pasion i madh për filmin. Blerimi, po bleronte në film dhe po priste rastet. Një vit më vonë ai bëhet pjesë e filmit “Etjet e Kosovës”, ku interpretonte rolin e një luftëtari, ku përjetoi peripeci dhe sfida e golgota gjithfare. Ai, para se të fillonte xhirimin e këtij filmi, pati kontakte më shumë njerëz, të cilët kishin kaluar nëpër këtë kalvar dhe kësisoj, hyri në botën e tyre, duke përjetuar bashkë me ta gjithë atë vuajtje të tmerrshme. Destani shpalosi me shumë dhembje dhe me rrëqethje skenat ku shfaq shpirtrat e tyre të thyer e të përbuzur.

Megjithëse profesioni i aktorit filloi t’ia trazojë shpirtin, ai nuk u ndal në këtë fushë, por po kërkonte sfida edhe më të mëdha dhe ato erdhën. Ka punuar si ndihmësproducent në filmin “Uji i madh”, me regji të Ivo Trajkovit, më 2004, film i cili u prezantua në shumë festivale dhe u vlerësua më çmime të rëndësishme. Blerimi, ndërkohë po e zhvillonte karrierën e tij filmike, duke e begatuar atë, dita-ditës. Deri më tani ka luajtur në këta filma: “Atje ku nuk lind dielli”, “Metropolet”, “Etjet e Kosovës”, “Koha e kometës”, “Separation city”, “Get Low”, “Wanderhure”, “Amsterdam Express” etj.

Blerim Destani thekson se invalidët e luftës janë memecët e dhembjes, teksa flet edhe për rrugëtimin e tij deri në Hollywood, i cili për të ka qenë i vështirë, por mjaft i suksesshëm.

Së fundmi, ishte në Festivalin “PriFilmFest” të Prishtinës, ku u shfaq më filmin premierë “Gratë”, ku mund të thuhet se Blerimi, si një aktor shqiptar, ka hyrë furishëm në fushën e filmave botërore. Megjithatë, ai shpreson se një ditë do të bëhen bashkë të gjithë aktorët shqiptarë dhe të realizojnë një film të madh shqip. Po, çka trajton filmi më i ri i tij, “Gratë”?

Në një tavolinë meshkujt flasin për anën e errët të femrave, madje me gjuhën e ashpër dhe denigruese, mbase për faktin se kanë frikë nga to. Ky, duhet të jetë syzheu i filmit gjerman, në të cilin Blerimi luan bashkë me Heiner Lauterbach dhe Martin Brambach.

Ai, thotë se komedia është zhanri më i vështirë për t’u realizuar. Destani në këtë komedi  luan rolin e Lis Tushes dhe është i kënaqur me atë që ka dhënë. Ndonëse meshkuj, që të tre kanë frikë nga femrat dhe, njëri prej tyre ikën nga martesa, që në ditën e parë të saj. Pra, në makinë xhirohet pjesa më e madhe e filmit, rreth 60 për qind, ku, kryesisht flitet keq për femrat, natyrisht pa prezencën e tyre. Secili flet (keq) për femrat e gjeneratës së vet, ku thekson se kjo ka qenë një eksperiencë e veçantë, të cilën nuk e kishte të njohur më parë. Në këtë film Blerimi, në shqip, i drejtohet nënës së tij duke i thënë që nuk mund të martohet me vajzën që nuk e do.

Megjithatë, ai tregon se meshkujt nuk duhet të frikohen nga femrat. Zaten edhe mesazhi i filmit e ka këtë qëllim. Por, meshkujt, sikur ende nuk janë të gatshëm për kompromise. Të qenurit ‘single’ është njëfarë lumturie e çastit, por nuk je i mbushur.

Destani, aktualisht është i angazhuar në një film kinez. Ndërsa, duke folur për aktorët shqiptarë, ai thotë se ka shumë aktorë të talentuar shqiptarë, për të cilët lutet që të gjejnë hapësirë të mjaftueshme.

Blerimi, aktrimin e krahason me një top bore: kur fillon të rrokulliset nuk ka të ndalur.

Ai, tashmë pothuaj e ka provuar veten në të gjitha zhanret e filmit dhe pothuajse kudo ka dalë i suksesshëm. Blerim Destani, tashmë ka një karrierë të pasur artistike dhe një përvojë e bagazh të madh. Ai, flet për punën e çdo regjisori, për stilin dhe tekat e tij, por nuk e fsheh dëshirën që një ditë të provojë veten edhe në regji.  Kohën e ndan ndërmjet Tetovës, Gjermanisë dhe Dubait, ndërsa hobi i tij është boksi dhe futbolli.

Telegrafi.com