Në rrugën e saj mund të ketë ecur shumëkush...Edhe ti! Një rrugë e shkelur nga të gjithë ata që janë lindur dhe kanë jetuar në Tiranën kryeqytet, bashkë me kujtimet dhe mbresat e një vendi që edhe sot grish për gjithçka. Stilin e jetës, banorët, vendet e pikat strategjike, çdokush mbart me veten një copëz Tiranë sipas mënyrës së vet. Edhe për Evisin e gjithë kjo panoramë vjen shumë origjinale. E jetuar në çdo dimension të vetin, por duke kulmuar tek "Rruga Miqësia"! Aty ku takohen artistë, e personazhe të jashtëzakonshëm. Mësues, e kapterë burgu, inxhinierë dhe drejtora, vjehrra e nuse, kamarierë e bufetierë. Ka dashuri dhe erotikë në këtë botim të parin të Evis Cergës.

Thuajse një jetë e dedikuar përkthimit, por që pasioni për të shkruarin dhe letërsinë e drejtoi kah finalizimit të librit të saj të parë. E quajti "Rruga Miqësia" për arsyet e qenësishme që ajo vetë i rrëfen pa doreza në këtë intervistë për "Class"!

Nga bota e përkthimit tek ajo e letërsisë, nga vitet e jetesës në Kajro, tek Tirana e saj e dashur, qytetin që thotë se nuk e ndërron me asnjë tjetër në botë. Dhe kjo përligjet për sa kohë që Evis Cerga vendosi që në Tiranën ndoshta jo këtë të sotmen që jetojmë ne, por në atë të viteve të shkuara ku kishte më pak makina, e më shumë njerëz, personazhe dhe histori protagoniste, autorja i bën bashkë të gjitha këto kujtime me durimin e pashoq për t'i jetësuar në një botim voluminoz që ajo zgjodhi ta quajë thjesht "Rruga e Miqësisë". Për ju që do e lexoni për të parën herë, me siguri do t'ju ketë rënë rasti të kaloni të paktën një herë në jetë nga rruga e Evis Cergës...

Evis, si është një ditë e zakonshme në jetën e një shkrimtareje?

A jam shkrimtare? Kjo është pyetja. Duke e lënë humorin mënjanë, mund të them se dita e një njeriu që shkruan është si ditët e çdo personi tjetër, me përjashtim të faktit që ne jemi si “gjahtarë“ të historive, njerëzve, të pazakonshmes, të zakonshmes që mund të jetë e pazakontë. Unë shkruaj natën, dmth, pasi është errësuar. Ndjej se mund të shprehem më mirë në errësirë, ndofta është një lloj “frike” se mos personazhet “trëmben” dhe largohen.

A kanë shkrimtarët apo artistët një kohë të caktuar që ia dedikojnë krijimtarisë?

Shkrimtarët nuk e di, në përgjithësi. Por ma do mendja, se përgjigja është “po”. Secili ka një rutinë që ndjek. Dikush ditën, dikush në të gdhirë, dikush si unë, mbrëmjeve. Rëndësi ka që koha gjithmonë gjendet.

Çfarë ndodhet në skrivaninë tuaj të punës?

Kompjuteri. Por sipas rastit, letra, fotografi, lapsa, revista.

"Rruga Miqësia" është libri juaj i fundit. Si mbërritët tek ky krijim voluminoz? Nga ideja tek finalizimi i tij?

"Rruga Miqësia" është libri im i parë. Nuk u nis asnjëherë për të qenë libër. Kam nisur të shkruaj tregime dhe skica, përpara dy-tre vjetësh. Kam edhe blogun tim në gazetën Shqiptarja.com. Aty njihem me emrin “Grimca urbane”. Kështu e konsideroja kontributin tim, kryesisht për qytetin. Shkruaja për tema që më interesonin, që më shqetësonin, me një prizëm pozitiv, ku nuk mungonte satira dhe humori. Shumicën e atyre që shkruaja e “dërgoja” në Facebook dhe që nga aty shumë miq nisën të më inkurajonin që ato tregime e skica t’i bëja bashkë në një libër. Kaluan gati dy vjet, derisa këto tregime dhe skica u bënë bashkë në një “çati”. Tek “Rruga Miqësia”.

Çfarë është "Rruga Miqësia" për një lexues rishtar që merr në dorë për herë të parë librin tuaj?

Histori për njerëz të përditshëm. Histori nga e kaluara përpara viteve 90-të dhe nga e sotshmja. Histori për personazhe që nisin që nga mësueset deri tek kapterët e burgut. Për inxhinierë, për vjehrra, për nuse, për drejtoresha, për kamarierë e bufetierë. Ka dashuri, ka erotikë. Kushdo e gjen veten lehtësisht.

Është një pikëtakimi mes qytetit të Tiranës, vendit tuaj të lindjes që ju thoni se nuk e ndërroni me asnjë qytet në botë. Një pikëtakimi mes kujtimeve, jetës këtu, miqve, çfarë tjetër sillni ju në vëmendjen e lexuesit shqiptar?

Pikërish! "Rruga Miqësia" është rruga ku kam kaluar fëmijërinë dhe adoleshencën. Sot kjo rrugë mban emrin Abdyl Frashëri. Pra, ky libër është një “album” ndjesish. Siç shfleton një album, ashtu dalin përpara lexuesit personazhet. Historitë janë aq të thjeshta, saqë kushdo mund të thotë; “po këtë mund ta kisha shkruar edhe unë“. Sigurisht. Asnjë nga historitë e librit nuk ka një fund. Gjithçka është e hapur për imagjinatën e gjithsecilit. Sepse kështu e perceptoj gjithçka. Po të kishin një fund do të ishin të rëndomta.

A është libri një rrëfim personal i jetës suaj dhe a keni një ngjarje më fort përzemër që doni ta evidentoni?

Libri nuk është rrëfim personal. Me përjashtim të skicave, të cilat flasin për persona të vërtetë që janë njerëz të afërt, fqinj, apo miq të mi. Gjithcka tjetër është trill i fantazisë. Fakti që kam jetuar edhe në Kajro, Egjipt për katër vjet më ka dhënë mundësi që të përdor emra dhe vende për të tjera tregime me bazë Kajron. Më pëlqen personazhi i kapterit të burgut, drejtorit të shkollës, inxhinierit, dhe vjehrrës. Nuk po flas më. Lexuesi do t’i gjejë vetë.

Mendon se të shkruarit është një lloj 'katarsis' për ndjesitë, botëkuptimin, për ngjarje që thuhen në mënyrë artistike përmes penës?

Padyshim. Në rastin tim, së paku. Të shkruash është një mundësi shumë e bukur për tu shprehur. Si një këngë. Si një pikturë. Ti shkruan, e hedh në letër dhe pastaj e “lëshon” punën tënde në “rrugë“. Mundësisht tek “Rruga Miqësia”. Unë shkruaj për njerëz që më emocionojnë, që më japin kënaqësi, që më nervozojnë, që më argëtojnë. Krijoj personazhe vazhdimisht dhe i vendos ata në vende nga më të ndryshmet dhe situata nga më qesharaket, deri tek më seriozet. Të shkruash është një mundësi komunikimi.

Çfarë të frymëzon pa kushte në procesin tënd të krijimtarisë?

Njerëzit. Vendet. Historitë. Ngjarjet. Jeta. Fëmijëria. Plot gjëra.

Ka ndonjë gjë në jetën tënde që të bën të pasigurt?

Sigurisht, por më mirë të mos e dijë njeri. Përndryshe zhvlerësohet përgjigja.

Keni shkrimtarë të preferuar(të huaj ose shqiptarë) që i vlerësoni më së shumti?

Ndër shkrimtarët shqiptarë veçoj Dritëro Agollin, Kadarenë, Nasho Jorgaqin, Vath Koreshin, Qamil Buxhelin, Gaqo Bushakën. Tek shkrimtarët e huaj ka disa, por së fundi jam duke lexuar një autore të suksesshme me emrin Madalene Miller.

Këshilla më e mirë për karrierën që keni marrë gjatë këtyre viteve?

Unë jam përkthyese. Ky është profesioni im që nga viti 1994 e deri me sot. Këshillën më të mirë ma ka dhënë një mikesha ime që më njeh mirë prej shumë vitesh. “Shkruaj, më tha. Do të kënaqësh shumë njerëz.”

Tri cilësitë që ju identifikojnë për figurën e artistes që jeni sot?

Humori. Jam një person shumë i drejtpërdrejtë dhe kjo pëlqehet shumë, ose fare. Aftësia për ta shkruar atë që të gjithë e dinë dhe për ta bërë tërheqëse si një histori që e ke kaluar edhe ti, ose si dikë që të duket se e njeh.

Libri i fundit që keni lexuar? Përshtypjet e para?

Një libër në gjuhën angleze, “Greeks bearing gifts” i cili flet mbi marrëdhëniet midis Gjermanisë dhe Greqisë, pas Luftës së Dytë Botërore, në një histori që vjen përmes një dedektivi gjerman dhe një polici grek.