Të pasurit më shumë kohë për leximin dhe pasionet e mia është ëndërrimi më i shpeshtë që lulëzon në mendjen time kohët e fundit. Kështu, mes përpjekjesh për të përbushur çdo përgjegjësi dhe njëkohësisht duke mbajtur gjallë dëshirën për t’u arratisur në botën e librit, leximi im i fundit lidhet me një autor të veçantë, larg klisheve dhe moralit, por thellësisht të këndshëm si Bukovski. “Zonja Vdekje” është libri i fundit i Çarles Bukovskit, i botuar pas vdekjes së tij më vitin 1994. Një libër tërësisht i ndryshëm nga çka jemi mësuar të lexojmë nga ky shkrimtar, me një rrjedhë të brendshme frenetike, me personazhe që enden e vrapojnë, arratisen e rishfaqen mori vëmendjen time ditët e fundit. Gjithçka është larg autobiografisë, por përgjatë gjithë përmbajtjes së romanit gjenden referenca lehtësisht të dallueshme të jetës së tij. Teksa ky roman dorëshkruhej, Bukovski ishte në dijeni të Zonjës Vdekje, e cila i qëndronte më pranë se kurrë e pritej ta rrëmbente çast pas çasti. I gjithë libri është ndërtuar si një alegori e mirëfilltë e një trillimi të pastër në kufijtë e një parodie të zhanrit dedektiv. Për të hyrë pak në brendësi të librit mund të themi se pikërisht personazhi më interesant, i cili rrotullon si një vorbull të gjithë historinë dhe mbush me pasiguri, dyshime dhe sfida personazhet e tjerë është Zonja Vdekje. Nick Belen është një dedektiv, i alkoolizuar, i cili gjen gjithfarë kotësirash për t’u marrë gjatë orarit të tij të punës.
Papritur, një ditë në zyrën e tij vë këmbën Zonja Vdekje, një grua e pashme dhe e ndërlikuar, e cila e angazhon dedektivin për të hulumtuar mbi një burrë misterioz me të cilin ishte hasur në një librari të zakontë. Dyshimet e saj lidheshin me ngjashmërinë e burrit dhe shkrimtarit të njohur Selinë, i cili kishte ndërruar jetë shumë vite të shkuara. Belan, si një dedektiv i devotshëm e pranon pa e menduar dy herë këtë detyrë e krahës kësaj pune të rëndësishme nën porositë dhe udhëzimet e kujdesshme të Zonjës Vdekje përfshihet në një mori rastesh të tjera misterioze. Gjithë atmosfera e një qyteti të shpejtë e një dedektivi të ngathët, i cili me mundim përpiqet të sinkronizohet në ritëm krijon situata komike, të cilat veçse të bëjnë të argëtohesh, ndezin në mendjen tënde pyetje ekzistencialiste, të cilat presin të marrin përgjigje.
Dedektivi Belan kërkon të zbulojë një mister ndërkohë që në të vërtetë përballet me misterin e ekzistencës së tij, gjë e cila e drejton të gjithë romanin në disa çështje humoristike-ekzistecialiste. Duke ditur gjendjen e vështirë shëndetësore të Bukovskit teksa shkruante librin mund të kuptojmë kurajon, satirën dhe forcën me të cilën ai përballej me vdekjen.
Gjithashtu, dozat e vrazhda të humorit njësoj si gjuha e përdorur gjatë rrëfimit e bëjnë këtë libër të prekshëm nga lexuesit po aq sa të pazakontë për ta duke patur parasysh se historia bazohet në një trillim. Nëse do më duhej të rendisja disa arsye pse ky libër duhet lexuar do vijoja si më poshtë: Së pari, ky libër i fundit i autorit shërben si një përmbledhje e gjithë krijimtarisë së tij të gjatë. Së dyti, humori dhe satira e përdorur e zhvendosin këtë libër ne një tjetër dimension, duke e zhveshur nga klishet e librave tepër serioz. Së treti, në një jetë të shpejtë, të vrazhdë, të ashpër dhe të lodhshme kur destini i fundit është Zonja Vdekje, një libër i tillë të prezanton ndryshe me të, jo vetëm si fataliti që na ndjek pas, por nganjëherë si telashi që kërkojmë vetë.
Ju ftoj në leximin e “Zonja Vdekje” nga Bukovski. Rilexohemi shpejt, |Një tufë rrezesh nëpër RE