Në këtë situatë krejt të pazakontë për gjithë njerëzimin, shumica prej nesh janë përfshirë në një rutinë të mezikrijuar. U pa mjaft e domosdoshme futja në punë e kreativitetit ndaj të gjithë nxituam në të parin vend të preferuar të shtëpisë, në kuzhinë. Pas një larmie recetash, edhe ajo ishte një zgjidhje e përkohshme ndaj shumë shpejt librat u bënë një përzgjedhje, ndoshta edhe e harruar.

“Si të mposhtësh shqetësimet dhe të fillosh të jetosh”, ishte dhurata më e re në ditëlindjen time të fundit. Më erdhi ashtu surprizë një ditë të ftohtë shkurti dhe nxitova të vërej volumin e saj, ishte 400 faqe. Dedikimi në faqen e parë më bën akoma më të përkushtuar për ta vlerësuar. Qysh prej fëmijërisë sime (jo shumë të largët), gjithmonë më bënin përshtypje arsyet e një dhurate si kjo. Madje vura re se paska kaluar pak kohë prej leximit të romaneve artistike me përmbatje të theksuar dashurie, përfundimesh të lumtura ose jo... Në fakt ky libër më erdhi në kohën e duhur, atëherë kur jeta ime mori kryekëput kthesë tjetër, dhe kur gjithçka rrotull meje u shndërrua si me magji. Besova se pikërisht këtu do të gjeja disa zgjidhje për 100 pikëpyetje që ishin ngritur në kokën time, sesi do ta zgjidhja ngërçin e një rifillimi. Mbase edhe ngjyrat jo të forta të kopertinës, ma shtuan besimin se ashtu qetësisht do të ishte më e shëndetshme të renditja rëndësinë e problemeve të reja.

Dale Carnegie, është autori më i ri në bibliotekën time dhe besoj se ai mund të jetë një udhërrëfyes i sigurtë për jetën e çdokujt (jo patjetër duhet të kesh një jetë të re). Që në faqet e para, autori këmbëngul që ai nuk është një libër dosido, ashtu i radhës për të shtuar një numër apo thjesht për t’i mbajtur mend titullin. Në fakt kjo nuk është hera ime e parë që ulem të shkruaj përshtypjet e një leximi, kujtoj kur im atë këmbëngulte se nëse do të shënoja disa nga fjalitë e rëndësishme të librit diku, mundësia ishte e madhe që do më mbeteshin në memorie gjithë jetën.

Dale Carnegie e ka vlerësuar kaq bukur dorëshkrimin e tij psikologjik, sa vë re se shumë prej miqve të mi u kam treguar shumë detaje nga libri, dhe ata janë vënë në rresht për ta lexuar. Në fakt, ka kohë që jeta ka ardhur mjaft rrëmbyer për këdo, por pas leximit të “Si të mposhtësh shqëtësimet dhe të fillosh të jetosh” kuptoj sesa kohë para jetës sime, njerëzimi ka përballuar shqetësime të ndryshme, dhe po vet u ka gjetur zgjidhjen. Është mjaft e çuditshme që personazhet e lakuar në të janë mjaft të rëndësishëm në jetën e politikës, artit, akademisë, mjekësisë por edhe biznesit. E kupton mjaft kollaj sesa përciptas u njohim jetën atyre, dhe me sa butësi i kanë kaluar ato situatat e jo fort të kollajshme për të ndërtuar një shtet, për të shpëtuar një njeri, për të qenë një sipërmarrës që vlerëson çdo punonjës, apo për të fituar një jetëgjatësi pa stres. Autori duket sikur ka gjetur ilaçin më të mirë të mendjes, dukuri në cilën ne akoma nuk e kemi vënë re sesa shumë na ka plakur, sa shumë e rrudhos fytyrën, apo sa shpejt i heq vitet jetës. Çelësi i gjithë jetës është të jetosh shëndetshëm, me mendje të kthjellët, të mos nxitohesh, të mos rendësh vetë pas telasheve, të jesh i bindur, të jesh i matur, të jesh i drejtë ama edhe i sinqertë me veten.


Po po, në fakt, e gjithë vështirësia e një filozofie të tillë është si t’i mbushësh mendjen vetes se ti je i qetë dhe i vendosur për çdo hap, se asgjë ska pse të jetë një surprizë që të bezdis ditën, edhe kur fati na ka rezervuar ditë të vështira. Sfida me veten është lufta më e madhe që bën njerëzimi. Sa të aftë jemi që të ulemi në fund të ditës dhe të bëjmë një listë të gabimeve tona, për të cilat nesër të zotohemi se do t’i rregullojmë duke përmirësuar kështu edhe cilësinë e jetës sonë. Fundja, pse duhet të marim përgjegjësi edhe për prishjen e ditës së dikujt tjetër, kur në s’jemi as përgjegjës për lindjen e tij, jo më t’i shkaktojmë humor të keq. Mesazhi i sjellë nga autori, praktikisht mendoj se jo krejt rastësisht një libër mund të jetë i shitur me mbi 6 milionë kopje. Përvojat e njerëzve me famë dhe pushtet janë kanë kaq të ngjashëm me ato të njerëzve të zakonshëm. Ka qenë kjo një mënyrë që u ka shërbyer si art për të fituar miq dhe pushtet.

Gjithashtu ju sugjeroj ta lëxoni këtë libër, ta mbani në kokat e krevatit dhe të nënvizoni pjesët që lidhen me problemet tuaja. Studiojeni, përdoreni, pasi ky libër nuk është një libër leximi i zakonshëm, por është shkruar nga udhëzues për një mënyrë të re jetese. Një gjë është e sigurtë, librat e ndryshojnë jetën!