"Dashuri në kohë Koronavirusi“ vjen si libri i parë i kësaj periudhe të trishtë të pandemisë  globale, që jo rrallëherë është cilësuar si “Lufta e Tretë Botërore”.

Këto ditë ka dalë nga shtypi ky libër, libri i karantinës, “Dashuri në kohë Koronavirusi“, nga autorja Ambra Hysa dhe Shtëpia botuese ERIK.

Tronditës, i dhimbshëm, po aq sa edhe artistik.

"Dashuri ne kohë Koronavirusi" është bazuar dhe frymëzuar në histori të vërtetë.

Në këtë dramë me përmasa tragjike, autorja shfaqet si ‘‘dëshmitare okulare’’, vijëzon me lot copëza jete të viktimave të pafajshme, bën homazh dhe nderim të thellë për mjekët "Gardianët e Jetës”, bëhet “zemra dhe dora e ngrohtë mbi plagë”, dhuron lule për fitimtarët!

Duke zbuluar edhe një herë se dashuria do të na shërojë dhe se në të gjitha kohërat, vetëm ajo është përgjigjia.

Ky libër, përcjell mesazhe të bukura shprese dhe besimi se "Do t’ia dalim!”; vë në epiqendër dashurinë, si çelësi i mirëkuptimit dhe i paqes, si gjeneratori i transformimit pozitiv të mendësisë dhe jetës së individit dhe shoqërisë.

Është shkruar në formën e një ditari, duke qënë se autorja (në profesion gazetare) mbante shënime çdo ditë, perditësime dhe përjetime emocionale të asaj situate të pazakontë që të gjithë po jetonim së bashku.

U shkrua, në mes të Luftës, dhimbjes, frikës nga e panjohura dhe humnerës shpirtërore e cila la gjurmë dhe ndryshoi përgjithmonë, mënyrën e jetës së njerëzimit.

Libri merr përmasa të tjera kur një mikeshë e autores, shqiptare dhe infermiere në spitalin e Bergamos, e telefonon një mbrëmje dhe i rrëfen për dhimbjet dhe letrat e lamtumirës që pacientët ua dërgojnë njerëzve të tyre të zemrës, përmes mjekëve.

"Letrat e dashurisë" - kështu i ka titulluar në libër autorja letrat, të cilat janë botuar si një dëshmi e ngjarjes, duke ruajtur anonimatin dhe privatësinë e personazheve, por duke i dhënë zë mesazhit dhe historisë së tyre.

Janë letra të cilat e përcjellin dashurinë në doza të forta romance, të shkruara në shtratin e sëmundjes, mes fijes së hollë që ndan jetën dhe vdekjen, duke u dhënë ndjenjave një tjetër dimension.

Librin, mund ta gjeni duke kontaktuar shtëpinë botuese Erik, në disa librari të Tiranës dhe në platformën "Bukinist".