Titulli: Dera

Autori: Ndriçim Ademaj

Zhanri: Poezi

Data e botimit: Maj, 2021

Numri i faqeve: 80

Çmimi: 500 lekë

Informacion i përgjithshëm rreth librit

Vëllimi me poezi “Dera” është në botimin e tij të tretë tashmë. I botuar për herë të parë më 2011, u rikthehet sot lexuesve pas shumë e shumë kërkesash për ta pasur sërish në duar.

Në këtë ribotim, poezitë nuk janë redaktuar, por janë risjellë besnikërisht si në kohën e botimit të parë, duke përforcuar kësisoj pjekurinë artistike të Ndriçim Ademajt.

Temat kryesore të poezisë së tij mbeten vetmia, dëshpërimi i njeriut modern dhe mosgjetja e vetvetes as në tokën e lindjes, as në atë të huajën, dashuria, si burim gëzimi, por edhe dhembjeje, humbja, malli, edhe për ngjarje të pandodhura kurrë etj.

Lexuesi do të gjejë vetveten sërish në këto vargje dhe do t’i bëjë të vetat.

Autori

Ndriçim Ademaj ka lindur në Prizren. Ai është autor i tri vëllimeve me poezi: “Kërkoj diellin” (2008), “Dera” (2011) “Këngë nga rruga e farkëtarëve” (2015); romanin “Pa heronj, pa bujë” (2017).

“Dera” (vjen në ribotim më 2021)

 

Fragmente nga libri

1) SA PAK DASHNI, SHI...

Sa pak dashni paskan rujtë

ata për ne, Shi...

M’ke thanë se kangët duhet me i këndu

të dehuna

ashtu qysh kanë dalë buzësh të dridhuna,

m’ke thanë se njerëzit duhet me i dashtë

ashtu t’flliqtë

qysh janë shkërrye shtretënve të huej

po, m’ke thanë: “edhe un’ kam qenë kurvar si ti”

e ke harru se kurvënia ma e madhe asht’

me e harru vetin...

Sa pak dashni paskan rujtë

ata për ne, Shi...

Ata që s’dijnë me u lagë n’shi

e mandej me u kthy ngat djemve,

burrave e vëllezërve,

që i kanë harru për ta edhe lotët e fundit

sëmundjet, buzëqeshjet e rralla

edhe poezitë...

2) KUR UNË S’ISHA ATY

Kur unë s’isha aty

ti paske flejtë me vetminë

në shtratin tonë,

a fytyrën time kishte vetmia?

ti e di...

Kur unë s’isha aty

ti thonjtë e heshtjes i paske ngrënë

shijshëm,

a shijen time kishte heshtja?

veç ti e di...