Shkrimtari çek Milan Kundera ka ndërruar jetë në moshën 94-vjeçare. Sipas mediave të huaja, autori i librit “Lehtësia e padurueshme e qenies” vdiq të martën në Paris.
Zëdhënësja e Bibiliotekës Milan Kundera, Anna Mrazova është shprehur se shkak i vdekjes ishte një sëmundje që e mundonte prej kohësh. Deri më tani nuk dihen detaje të mëtejshme.
Kundera lindi më 1 Prill 1929 në Çekosllovaki nga një baba pianist dhe muzikolog. I ati i mësoi pianon dhe deri në një moment, mendonte të bëhej muzikant por më pas u tërhoq nga letërsia, veçanërisht ajo franceze.
Milan Kundera ishte një i përjashtuar i Partisë Komuniste që bëri zhurmë në të gjithë botën me romanet e tij kritike, me nota seksuale që përshkruanin absurditetin mbytës të jetës së punëtorëve në Çekosllovaki.
Librat e tij më të njohur janë “Shakaja”, “Socializmi me fytyrë njerëzore” ndërsa kulmi ishte “Lehtësia e padurueshme e qenies”, publikuar më 1984. Libri ishte një sukses i menjëhershëm që u përkthye në më shumë se 24 gjuhë të botës dhe i rezistoi kohës.
Pasi u përjashtua dy herë nga Partia Komuniste për “veprimtari anti-komuniste”, Kundera u pushua nga puna si mësues. Ai punonte në kabare të vogla si trumbetist xhazi dhe pasi humbi shpresat se Çekosllovakia do të reformohej, u zhvendos në Francë në vitin 1975.
Nga aty, në vitin 1979 humbi nënshtetësinë e vendit të tij dhe u bë nënshtetas francez më 1981. Kur komunizmi në Çeokosllovaki ra në vitin 1989, Kundera kishte rreth 14 vite që jetonte në Francë me bashkëshorten e tij, Vera Hrabankova.
Ai është nominuar shpesh për çmimin Nobel në Letërsi, por nuk ka fituar një të tillë. Megjithatë ka fituar çmime të tjera të rëndësishme ndërsa pas ka lënë 10 romane, tre koleksione poezish, shkrime të shkurtra dhe ese që trajtojnë tema të thella filozofike, aluzione politike dhe histori tronditëse.