Dje në kinema Millenium u shfaq për herë të parë filmi dokumentar i Roland Sejkos “Pritja” kushtuar vizitës së Papa Franceskut në Tiranë në 21 shtator të vitit 2014 dhe sakrificës me jetë që bënë në vitet e diktaturës klerikët katolikë në emër të besimit dhe Zotit.

Filmi i konceptuar në dy pjesë në të tashmen dhe në të shkuarën, zgjaste 60 minuta, aq sa udhëtimi i Papës së Romës për në Tiranë, që ishte në një mënyrë simbol i lirisë që njerëzit e tokës pritëse e kanë arritur edhe falë martirëve që u vranë gjatë regjimit komunist. Pamjet dhe faktet e së shkuarës të gjendura në dokumente u përcollën me fjalët e “Rrno vetëm për me tregue” të At Zef Pllumit lexuar nga Zef Paçi dhe Gjovalin Çuni. Roland Sejko, u ndihmua në regjinë e këtij filmi nga Elsa Demo, drejtor fotografie ka qenë Erfort Kuke dhe filmi është realizim i Digitalb dhe Institutit Luce Cinecitta.

Ky dokumentar pasuron  me një produkt artistik ngjarjen e vizitës së Papës në Shqipëri dhe shton një gur në monumentin që ende nuk është ngritur për nderimin sa duhet të martirëve të Kishës Katolike në Shqipëri.

Për këto arsye premiera ishte një ngjarje nga ato që pritej me kërshëri në komunitetin artistik të qytetit, por jo vetëm. Vizita e Edi Ramës, kryeministrit të vendit, I cili i shoqëruar nga bashkëshortja Linda Rama eci gjatë pedonales si një çifti i thjeshtë që shkojnë një pasdite në kinema, i dha një rëndësi  të veçantë eventit. E pranishme ishte edhe minisitrja e Kulturës, Mirela Kumbaro. Personalitete të botës së filmit, medias, por edhe politikës, ishin gjithashtu të pranishëm në këtë premierë filmi, i cili u shfaq, si tha Edi Rama, në një muaj Ringjalljeje.