Një prodhim 100 % shqiptar është rrugës dhe shumë shpejt do të jetë aty për të gjithë ne.

Seriali Lokomotiva, komedi, aventurë, dramë, një prodhim “bio” me autor Ermal Qori, vjen për publikun shqiptar nga një grup të rinjsh tepër të talentuar që “guxojnë” të thyejnë monotoninë e realitetit.

Një serial i cili motivet i merr nga jeta reale, sfidat me të cilat përballemi sot, njëherazi dhe satira ndaj një fenomeni tepër të përhapur në Shqipëri siç është "martesa me shkesë”, por gjithashtu dhe një  promovim panoramik i potencialeve natyrore, kulturore, historike dhe ato tradicionale që ofron Shqipëria.

Përpjekja e të rinjve për të krijuar një biznes privat i shpie ata në skena komike dhe përballje me të vërteta të papritura. Plani i tyre për t’i gjetur nuse emigrantit duke i ngritur kurth, kthehet në një aventurë të pa përsëritshme duke e gjetur veten në pikat më të bukura turistike.

Çdo ide e çmendur përfundon jashtë limitit të tyre imagjinar…madje deri në rrezikimin serioz të jetës.

Dhe kjo është vetëm seria e parë .

Të tjera seri do të xhirohen në gjithë Shqipërinë duke vendosur në pah vlerat e vërteta tradicionale që gëzon vendi ynë.

Premiera e serialit do të jetë më 16 janar në Tiranë ndërsa do të vazhdojë shfaqjen e tij në datat 17, 18, dhe 19 Janar në Kinema Agimi.

Në bashkëpunim me bashkitë vendore, seriali “Lokomotiva ” do të vazhdojë rrugëtimin në rrethe pas datës 20 Janar .Një serial që nuk duhet humbur, i krijuar nga të rinjtë për të gjithë grupmoshat. Ermal Qori, autori i serialit ka vendosur që çdo e ardhur nga projekti, do të shkoj direkt për familjet e prekura nga tërmeti!