Sipas statistikave më të fundit të kulturës, publikuar sot nga INSTAT, vihet re një tendencë në rritje e numrit të shfaqejeve nga institucione kulture, si teatri, për të rritur dhe fëmijë, por me një pjesëmarrje në rënie nga spektatorët.
Numri gjithsej i shfaqjeve kulturore në tremujorin e katërt 2019 është 383 shfaqje, duke shënuar një rritje me 2,7 %, në krahasim me tremujorin e katërt 2018. Në institucionet qendrore të artit dhe kulturës, në tremujorin e katërt 2019 janë regjistruar 71.477 spektatorë, 2,8 % më pak, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Në vitin 2019, numri gjithsej i shfaqjeve kulturore është 1.124 shfaqje, 8,9 % më shumë, në krahasim me vitin 2018. Numri i spektatorëve në vitin 2019 është 223.614, duke shënuar rritje prej 3,1 %, krahasuar me vitin 2018.
Pjesëmarrja mesatare në institucionet qendrore të artit dhe kulturës ka rënë me 5,1 %, si në tremujorin e katërt 2019 dhe në vitin 2019,krahasuar me të njëjtat periudha të një viti më parë.
Institucione qendrore të artit dhe kulturës
Teatri Kombëtar Eksperimental është institucioni që ka realizuar numrin më të lartë të shfaqjeve gjithsej, me 142 të tilla, 31 shfaqje më pak, krahasuar me tremujorin e katërt 2018. Teatri Kombëtar Eksperimental është institucioni që ka realizuar numrin më të lartë të shfaqjeve kulturore, me 444 shfaqje, 2,8 % më pak, krahasuar me vitin 2018. Qendra Kombëtare e Kulturës për Fëmijë renditet e dyta për numrin më të lartë të shfaqjeve, si në tremujorin e katërt 2019 dhe në vitin 2019. Numri i shfaqjeve të realizuara ka ardhur në rritje, krahasuar me periudhën e mëparshme.
Në tremujorin e katërt 2019, Teatri Kombëtar i Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor është institucioni me numrin më të lartë të spektatorëve, me 26.567 të tillë, duke shënuar një rritje me 6,8%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ky institucion ka numrin më të lartë të spektatorëve edhe në vitin 2019, me 70.647 spektatorë, 29,8 % më shumë, krahasuar me vitin 2018.Teatri Kombëtar Eksperimental është institucioni i dytë me numrin më të lartë të spektatorëve, për të dyja periudhat në fjalë. Numri mesatar i spektatorëve për shfaqje ka pësuar një rënie të lehtë, nga 197 spektatorë për shfaqje, në tremujorin e katërt të vitit 2018, në 187 spektatorë për shfaqje, në tremujorin e katërt 2019. Rënia është në masën 5,1%. Në vitin 2019, numri mesatar i spektatorëve për shfaqje është 199 spektatorë, nga 210 të tillë, që ishin në vitin 2018.
Biblioteka Kombëtare
Në tremujorin e katërt të 2019, numri i shërbimeve të njësive bibliotekare është 25.000 njësi, 5,6% më pak, krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2018. Numri i frekuentuesve në Bibliotekën Kombëtare në këtë tremujor është 32.332, duke pësuar rritje me 35,7 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në Bibliotekën Kombëtare, në tremujorin e katërt 2019 janë afishuar 1.180 tituj të rinj dhe 4.185 ekzemplarë të rinj.Numri i botimeve për vitin 2019 është 99.741 botime, duke shënuar rritje me 11,8 %, krahasuar me vitin 2018. Në vitin 2019, numri i frekuentuesve në Bibliotekën Kombëtare është rritur me 60,7 %, krahasuar me vitin 2018. Në vitin 2019, si numri i titujve të rinj dhe numri i ekzemplarëve të rinj është rritur.
Burimi:Monitor