Për të katërtin vit radhazi në New York të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, do të zhvillohet Java e Filmit Shqiptar 2015 (Albanian Film Week-AFW).

Nga data 30 tetor deri më 5 nëntor në Manhattan do të shfaqen filmat më të fundit të kinemasë shqiptare dhe prodhime të artistëve shqiptarë të të gjitha trojeve shqipfolëse që jetojnë e punojnë  jashtë këtyre trojeve. Filma të ndryshëm do të ekranizohen gjatë netëve të hapura nga të cilët “Tri dritare dhe nje varje” nga  Isa Qosja , “Bota” nga Iris Elezi & Thomas Logoreci, filmi shqiptar kandidat për Oscar në gjininë e filmit të huaj për vitin e ardhshëm, “Amsterdsm Express” nga Fatmir Koçi.

Ky është një aktivitet që synon të mbledhë në një vend e në një kohë, artin kinematografik shqiptar, për ta konsoliduar dhe për të njohur më nga afër anëtarët e tij që veprojnë në vende të ndryshme. Ai është ideuar dhe themeluar nga producentja dhe regjisorja Mrika Krasniqi.

Përveç artistëve dhe krijuesëve kryesorë të filmave të përzgjedhur, në Festival do të ketë edhe përfaqësues të diplomacisë dhe komuniteteve shqiptare atje. Ata do të përfshihen në aktivitet e ndryshme që janë ideuar për këtë javë. Festivali do të moderohet nga prezantuesja Kozeta Turishta dhe aktori nga Kosova  Lulëzim Bucolli. “Do të ketë aktivitete e debate percjellëse gjatë Festivalit në mënyrë që të promovohet kultura e kombit tonë duke qenë gjithmonë në shërbim të paqes e tolerancës”, thotë Kozeta Turishta.

Kozeta Turishta, moderatore e Festivalit bashke me Lulezim Bucolli

Listën e filmave pjesëmarrës e gjeni në uebin zyrtar albanianfilmweek.net