Ka nisur në malet tona. Aty ku Elvira Dones është frymëzuar për romanin Hana. E njëjta Hanë, që në pjesën më të madhe të filmit “Sworn Virgin”, është Marku.
Historia e një vajze të betuar për virgjëri të përjetshme në Alpet Shqiptare që nis një jetë të re në Itali, ku betimi, emri dhe flokët e Markut nuk ishte më aq e lehtë të mbaheshin. Aty ritakohet me Lilën, kushërirën me të cilën ishte rritur pasi kishte humbur prindërit, e cila kishte refuzuar të merrte fishekun në pajë dhe ishte arratisur me të dashurin.
Regjisorja italiane Laura Bispuri ka drejtuar xhirimet në Valbonë dhe në Bolzano një vit e gjysmë më parë me një grup aktorësh nga Shqipëria dhe Kosova si Flonja Kodheli, Bruno Shllaku, Luan Jaha e Ilire Çelaj dhe dy motrat Drenica dhe Dajana Selimaj, si dhe aktoren shumë të premiuar italiane, Alba Rohrëacher që në këtë film luan, në të njëjtin rol, dy njerëz që nuk është: një burrneshë e një shqiptare. Nga e para, lëshon vazhdimisht peun që nervat e muskujt nuk e tërheqin më dot aq fort sa duhet. E dyta duhet të qëndrojë deri në fund të filmit.
Megjithatë dialogët e paktë dhe monologjet e gjata të heshtura të portretit të saj, ia lehtësojnë barrën e një gjuhe të panjohur dhe janë një zgjidhje e mirë, që, edhe pse e lexueshme, nuk është punëprishëse.
Konkurrent në Festivalin e Filmit të Berlinit dhe fitues çmimesh në festivale të rëndësishme botërore si Tribeca, Hong Kong, San Francisco, Chicago, Londër, Globi d’Oro, “Burrnesha” çel Festivalin Ndërkombëtar të Filmit Tiranë, sonte në kinema Millenium, si një nga dhjetë konkurrentët në kategorinë e filmit me metrazh të gjatë dhe një nga katër me prodhim shqiptar, duke qenë që është prodhim i Erafilm në bashkëpunim me disa kompani filmike evropiane dhe financim i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë së Kosovës.
Nesër, në orën 12.00 filmi shfaqet në kinemanë Agimi.