Evolucioni u ka mundësuar aftësi të mëdha për t’u orientuar në hapësirë, për të qenë gjithmonë në kërkim të hapësirave dhe vendeve të reja. Atyre u është dashur të manipulojnë me mjeshtëri objekte dhe burime për të siguruar mbrojtje dhe ushqim për familjen. Me të gjitha aftësitë dhe papjekuritë, fuqitë e dobësitë, talentin dhe mungesën e talentit, burrat janë bashkëpuntorët tanë më të dashur. Talentet e tyre na magjepsin, figura e tyre na plotëson, na bën me krahë… tradhëtia e tyre na tërbon…
Ata ankohen se po i kufizohet liria se s’mund të jetojnë dot pa të. Dhe krejt pa e vënë re, kur ti je duke dhënë më të mirën tënde ata kanë marrë rrugët...Të telendisur nga i bekuari pasion, të arsyegjymtuar nga territoret e reja që presin të zbulojnë... ata kërkojnë të ikin…heqin dorë…braktisin…heshturazi…gjakftohtësisht…si të ishte diçka e thjeshtë që tri ditë do t’i zgjasë çudia. Ky është momenti i duhur! Burrat duhen… .Ti duhet të luftosh, të nëpërkëmbësh ndoshta edhe krenarinë dhe egon tënde, të bësh sytë katër dhe veshët tetë, t’i mbledhësh ku i ke e ku s’i ke forcat e tua. Ta nxjerrësh me forcë “animus-in” (mashkullin brenda vetes) sepse duhet të fitosh përballë verbërisë dhe adoleshentizmit të tij. Për dashurinë tënde duhet ta bësh. Për fëmijët e tu të lindur ose të palindur ende. Sepse: Pranoje! “të sakrifikosh “është një nga gjërat që di të bësh më mirë…! Shikimi më qartësohet dhe kuptoj që isha duke nxjerrë një 5 mijë lekësh nga kuleta, ngre kokën dhe shoh përballë meje Anin, zonjën simpatike te biletaria e Teatrit Kombëtar. Aty u përmenda…! Të vija në Teatër ishte një gjë tjetër që dija ta bëja mirë dhe me dashuri jo vetëm si aktore, por edhe si publik.

Shfaqja filloi. Dritat e skenës ndriçuan personazhin e parë që hyri duke shpërndarë me gëzim dhe këngë petale trëndafilash të kuq nëpër të gjithë shtëpinë. “Sa qejf, thashë me vete, edhe nëse nuk mbetet më asnjë burrë romantik atje jashtë dhe ne një ditë do ta kemi harruar “si duket” dhe “cfarë bën” një romantik, në TEATËR do ta gjejmë gjithmonë një të tillë që të na magjepsë…! ROMANTIKU, pasi mbaroi shpërndarjen e petaleve zhduket prapa kuintave. Ndriçohet aktorja e cila hyn në skenë duke kaluar përgjatë korridorit të ngushtë që krijohet mes radhës së parë të spektatorve dhe skenës duke të të ngacmuar ndjesinë se çdo femër do të donte të ishte “personazhi i saj”, të hynte në shtëpi dhe ta gjente atë plot me magjinë e së kuqes së trëndafilit….Me një interpretim spontan dhe konkret aktorja ngjitet në skenë dhe percepton “magjinë” që ka pushtuar shtëpinë e saj…
“Vini më ka bërë një surprizë, më duket se do bëj seks sot më në fund”, flet në telefon ajo dhe nga lumturia e ndan me asistenten e saj këtë lajm. Nga biseda e saj në telefon marrim informacionin se ajo është një avokate në karrierë, por e përkushtuar edhe ndaj familjes. Në mënyrë të natyrshme, ashtu vetvetiu, me nuhatjen e një publiku të mençur diçka na lidh më shumë me përsonazhin e saj. Mos ndoshta kemi nisur ta projektojmë veten tek ajo?!! “Romantiku” Vini rihyn në skenë dhe trembet: “ Lina po ti ç’do këtu!!??Ti do vije nesër?!!...” Me këtë batutë kyçe ai na ka shtangur ne dhe atë. Ai ka zbuluar jo vetëm emrin e saj, por dhe arsyen pse kishim nisur ta duam dhe të projektonim veten te Lina. Qeshim hidhur me “Romantikun-tradhtar”, me surprizën e tij “të mallkuar” dhe na vjen keq për Linën sepse kemi keqardhje për veten…Personazhi i saj na mundëson të gërshetojmë veprimet e saj në realitetin skenik me veprimet në jetët tona dhe të reflektojmë për to. Ngjarja se burri është duke pritur një femër tjetër në shtëpi, me të cilën thotë se ka rënë në dashuri dhe për këtë arsye kërkon divorcin shkakton tek ajo tronditje dhe tërbim. Tronditje dhe tërbim te Lina. Tronditje dhe tërbim edhe te ne, por ne, si publik, qeshim me shpirt, se nuk qajmë dot për veten…ose ndoshta lotët na janë harxhuar nga tradhtitë e jetëve tona…Lina, avokatja e sukseshme dhe e përkushtuar në punë dhe familje merr vesh që burri i saj romantik paska të tjera plane. Pas surprizës do të shkojë në Paris. Ndërkohë kërkon divorcin. Pas divorcit, territoret e reja e presin…
Lina: Vin unë nuk e kam vënë re që ti nuk më deshe më, por mos u shqetëso, do e gjejmë një zgjidhje. Ti nuk do të shkosh në Paris pa u përpjekur të dy bashkë edhe një herë të shpëtojmë martesën tonë.
Vendosmëria e saj, forca, shpirti sakrificës dhe dashuria mbi të gjitha për burrin, familjen dhe fëmijët ende të palindur I japin Linës energji për t’ia dalë mbanë përballë tradhtisë sfiduese. Në këtë pikë të veprimit dramatic, ajo “lidhja e padukshme”, marrëdhënia që krijohet mes publikut dhe aktorit arrin kulmin e saj. Publiku në Teatër ka mundësi të eksplorojë në thellësi një proces ndërveprimi midis personazhit dhe vetes, mes asaj çfarë ndodh në skenë dhe brenda vetes duke marrë përgjigje për çështje të pazgjidhura në jetën e tij. Duke provokuar brenda vetes ndjesi që kanë kohë që flenë në thellësitë e tij, publiku në Teatër i pranon vetes emocione dhe ndjenja që atje jashtë i duhet t’i mohojë dhe represojë. Ai mund të gjej zgjidhje të reja për jetën e tij në këtë realitet të fuqishëm që ka përballë. Përjeton mënyra të reja reagimi, ngjarje të jashtëzakonshme, rrethana të panjohura më parë, identifikon sjellje të reja. Përballë eksperiencat e tij jetësore me realitetin skenik, i cili më shumë se çdo realitet tjetër është thellësisht i vërtetë me të. Ky realitet skenik nuk i fsheh as i shtrembëron gjë. Ky realitet skenik kthehet për të në realitetin e vetëm që artikulon “të vërteta të shenjta” që atje jashtë pak guximtarë kanë mbetur të t’i thonë. Publiku komunikon me të vërtetat në Teatër. Marrëdhënia aktor-publik i ngjan një marrëdhënie miqsh të vjetër të zemrës që ngjajnë me njëri-tjetrin dhe nuk i fshehin asgjë njëri-tjetrit. Sepse ky është një pakt I heshtur që vendoset sapo hapet perdja dhe fillon shfaqja.
Në një sekondë, ti e kupton pse kjo shfaqe po të pëlqen kaq shumë. Ajo po komunikon me ty. Ti po merr kënaqsi prej saj. Ajo nuk po bën moral, por nga kënaqësia ka dobi dhe vetë morali. Ajo nuk është vetëm një shfaqe Teatri, ajo është një “Teatro-Terapi”. Një terapi për brengat dhe konfliktet e tua të brendshme, një terapi për gjithë marrdhënien tënde. Një Zot e di si e kam o si e keni imagjinuar ju takimin me të dashurën e burrit tuaj, ndërsa në këtë shfaqe ky takim është i jashtëzakonshëm, që duhet zbuluar duke shkuar në Teatër…
Nëpër botë, por së fundmi edhe në Shqipëri, nga Shoqata e Psikologëve Shqiptar, seancat terapeutike të Psikodramës ndihmojnë mjaft në zgjidhjen dhe indentifikimin e konflikteve dhe çështjeve emocionale. Ata kanë filluar të praktikohen dhe përdoren suksesshëm, por kushtojnë relativisht shtrenjtë ndërsa teatro-terapia që na shkakton një shfaqe në Teatër e pasuruar me elemente artistike dhe estetike, publiku ka shansin ta realizojë mjaft lirë nëpërmjet biletës që blen për të hyrë në Teatër. Pse jo…! Kur të dalësh nga kjo shfaqe, nëse e mendon thuaje mes miqsh, pa ndrojtje: sa të bekuar jemi që kemi teatër… Sa e lumtur jam që po e shijoj këtë shfaqje. Personazhi i saj “Lina” po shteron përballë teje çdo mundësi dhe aftësi për ta shpëtuar familjen e saj. Për ta ndaluar “romantikun e telendisur” nga arratisja, për t’ja rikthyer atij kontaktin mes këmbëve dhe tokës. Duke e berë të kuptojë që familja dhe dashuritë e mëdha nuk mund të sakrifikohen kaq lehtë.
Publiku i Teatrit më mirë se kushdo e di që Skena e Teatrit është e aftë të shndërroj çdo imagjinatë të mendjes njerëzore në “veprim konkret” dhe tani ju ftoj të imagjinoni :…..
Si do të ishte “të lidhnit burrin tuaj” kur ai si një i çmendur do vetëm t’ia mbathë për në Paris me të dashurën e tij…??!!!!!! Ose më mirë, shkoni në Teatrin Kombëtar në datat 18, 19, 20 dhjetor dhe imagjinojeni atje…. Në shfaqjen “Dashuri me çdo kusht”…sepse ju e dini shumë mirë si dashurojmë ne kur dashurojmë me çdo kusht…
Kur dola nga shfaqja kisha shtrënguar fort në dorë gjithë kohën biletën që kishte kushtuar vetëm “3 mijë lekë”, por unë kusurin prej “2 mijë lekësh” e kisha marrë nga Ani pa mendje…Ndoshta sepse do të doja që biletën për në Teatër ta blija më shtrenjtë sepse ata aktorë e meritonin, Lina, Vini, Arjola, Enkeli që jo rastësisht kishin mbajtur emrat e tyre në shfaqje…
