Pas përplasjes së drejtorit të Teatrit dhe regjisorit të veprës, Hervin Çuli, me gazetarin Eni Shehu, që ka tërhequr vëmendjen e premierës së shumëpritur të “Tri motra”-ve të Çehovit, disa nga aktorët, kanë reaguar. Në një ditë të rëndësishme, ata gjenden, në mënyrë absurde, bashkë me gjithë ekipin realizues të kësaj shfaqeje të madhe, të shtyrë në hijen e një skene që i ka të gjithë dritat mbi sherrin e Çulit me Shehun.
Ja çfarë ka shkruar Elia Zaharia, motra e vogël në veprën e Çehovit, pak më parë.
“Te dashur miq, mbreme ne Teatrin Kombetar dhame proven gjenerale te shfaqjes "Tri motrat". Per ne kjo quhet premiere, pasi ftohen kolege, miq, familjare dhe media. Une mund t’i kuptoj deri diku kontradiktat qe gazetare mund te kene me institucione te caktuara, por per aktoret Teatri eshte tempull. Kur hyni ne boten tone, ku ne japim gjak e shpirt per te ndertuar nje bote me te bukur per publikun, ju lutem respektoni mundin dhe punen e ne te gjitheve! Nuk mendoj se e keqja ketij vendi i vjen nga artistet, ndaj ju lutem na lini te bejme te qete punen tone, me pasion dhe perkushtim! Madje shkoj me tej, duke ju ftuar te beheni pjese e kesaj eksperience te mrekullueshme teatrale! Jam e bindur qe ne dalje te shfaqjes do ndiheni njerez me te bukur dhe plot energji pozitive!”
Atë e mbështet edhe Gladiola Harizaj, motra e mesme gjatë disa netëve të shfaqjes. Aktorë të tjerë, si Neritan Liçaj, Ina Gjonçi kanë shprehur gjithashtu mendimet e tyre në mbështetje të njerëzve që kanë punuar për këtë shfaqje.
Ndërsa vetë Eni Shehu ka falënderuar aktorët që sipas tij nuk kanë mbrojtur drejtorin duke mos ‘ngrënë presionin’.
Megjithatë në prag të premierës së një shfaqeje që është ngritur me punën e një grupi të madh njerëzish dhe sigurisht, në drejtimin e Hervin Çulit, nuk është e thënë të jesh patjetër, o me Çulin, o me Shehun. Duhet dikush të jetë me shfaqjen!