Filmat “CODA” dhe “Audible” janë kandidatë për disa çmime Oscar. Por pavarësisht nëse nderohen ose jo me çmimin prestigjioz, fitorja e vërtetë e këtyre filmave është se kanë rritur ndërgjegjësimin për botën e personave që nuk dëgjojnë. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Penelope Poulou, foli me regjisorin Matthew Ogens dhe producentin Nyle Dimarco të filmit “Audible”, si edhe pedagogë dhe studentë të Universitetit Gallaudet për personat që nuk dëgjojnë.

Filmi “CODA” i regjisores Sian Heder, rrëfen historinë e Rubit, vajza e një familjeje peshkatarësh të shurdhër në Masaçusets. Rubi ndihmon familjen e saj të komunikojë me ata që dëgjojnë. Por ëndrra e saj është të studiojë për muzikë, çka do të thoshte të largohej nga familja.

“Audible”, një dokumentar i shkurtër me regjisor Matthew Ogens dhe producent Nyle DiMarco, përshkruan jetën e maturantëve të Shkollës për të Shurdhërit në Merilend, ndërsa përballen me realitetin e botës së jashtme.

Unë e shoh si një histori e zakonshme e rritjes por me me shumë kurajo. Ka vështirësi, tension dhe konflikt por flasim edhe për bullizmin, për sëmundjet mendore. Trajtojmë temën e vetëvrasjes, të marrëdhënieve”, thotë regjisori Matthew Ogens.

Producenti DiMarco thotë se filmi paraqet botën e atyre që nuk dëgjojnë, pa ndërmjetësimin e përkthyesve të gjuhës së shenjave.

Unë këmbëngula që të mos kishim rrëfim me zë. Ekipi ra dakord që filmi të ofronte që mënyrë që njerëzit që dëgjojnë të hyjnë në botën e atyre që nuk dëgjojnë, njëlloj siç u ndodh atyre që nuk dëgjojnë në të përditshmen e tyre”, thotë ai.

DiMarco - model, aktor dhe fitues i konkursit “Dancing With the Stars”— thotë se “Audible” tregon se ata që nuk dëgjojnë ose pothuajse nuk dëgjojnë mund të arrijnë gjithçka.

Jemi njerëz si ata që dëgjojnë. Përballemi me të njëjtat probleme në shkollë të mesme. Dhe natyrisht ndërsa rritemi, problemet tona, qoftë shëndeti mendor, miqësitë, marrëdhëniet tona, janë universale”, thotë producenti DiMarco.

Studentët dhe pedagogët e Universitetit Gallaudet flasin për rëndësinë e këtyre filmave.

“Mendova: ‘Më në fund përfaqësim në filma i atyre që nuk dëgjojnë!’”, thotë Casey Johnson-Pasqua, Koordinatore për Programet e të Rinjve në Universitetin Gallaudet.

Ishte shumë frymëzuese të shihja jetën tonë në ekranin e madh”, thotë ajo.

Dhe dy filma të tillë, në një kohë kaq të shkurtër, është diçka e rrallë!

Eliyas Assefa thotë se “CODA” e ndihmoi të kuptonte perspektivën e fëmijëve që dëgjojnë të prindërve që nuk dëgojnë.

Por ai thotë se ndryshe nga ç’tregon filmi, të shurdhërit nuk kanë aq shumë nevojë për përkthyesit e gjuhës së shenjave.

Për shembull mund të komunikojmë me shkrim. Merr pak kohë por është shumë efektive për të ndihmuar me komunikimin. Po ashtu nuk duhet nënvlerësuar përdorimi i gjesteve. Ne mund të përdorim edhe telefona, iPad dhe pajisje të tjera. Kështu që duhet të përfitojmë nga teknologjia", thotë ai.

Hannah u rrit në një familje me njerëz që dëgjojnë dhe që nuk dëgjojnë. Ajo thotë ata që dëgjojnë diskriminojnë pa dashje personat e shurdhër kur mbështeten për komunikim tek familjarët e tyre që dëgjojnë.

"Pra, nëse një person që dëgjon do të flasë me mua, ai shpesh sheh nga motra ime për ndihmë. Ajo është më e re se unë. Unë jam më e madhe. Duhet të më drejtoheni drejtpërdrejt mua dhe kjo ishte një nga gjërat me të cilat mund të identifikohesha në film. Pse po i drejtohesh motrës sime dhe jo mua? Ajo është 13 vjeç”, thotë Hanna.

Të gjithë bien dakord që çmimet që kanë fituar këta filma tregojnë se bota e jashtme po bëhet më e vetëdijshme dhe po pranon komunitetin e të shurdhërve.

"Mendoj se si rezultat më shumë dyer janë hapur për ne. Përballemi me më pak barriera. E shohim veten më të pranuar. Po shohim veten në ekran, kemi producentë dhe regjisorë të shurdhër. Nuk na ndalon asgjë. Ne mund t'i luajmë këto role si çdokush tjetër", thotë zonja Johnson-Pasqua.