Sophia Loren, legjenda e kinemasë, ka deklaruar se nuk ka ndërmend të tërhiqet pas 75 vitesh karrierë, edhe pas nderimit të saj të fundit në Muzeun e Filmit të Akademisë në Los Anxhelos. Në një intervistë për ‘Deadline’, aktorja 90-vjeçare theksoi se është ende e fokusuar në projektet e ardhshme dhe se do të mendojë për të kaluarën vetëm kur të dalë në pension, por shprehu dëshirën që të mos arrijë kurrë në këtë pikë.
Një nga yjet e fundit të periudhës së artë të Hollivudit, Loren, që fitoi çmimin Oscar për aktoren më të mirë në vitin 1962 për rolin në filmin “Dy Gra”, e ndan me publikun sekretin e suksesit të saj. Ajo theksoi rëndësinë e angazhimit të plotë për një qëllim, duke deklaruar se “nuk ka plan B, vetëm plan A” dhe se përballimi i pengesave është çelësi për të arritur qëllimet, pavarësisht vështirësive që mund të shfaqen.
Aktorja gjithashtu shprehu keqardhjen që nuk ishte në ceremoninë e ndarjes së çmimeve për ta marrë çmimin Oscar, por e pranoi me modestinë e saj se asnjëherë nuk e kishte menduar se do të nderohej me këtë çmim prestigjioz, duke u bërë aktorja e parë që e fitoi për një film në gjuhë të huaj.