Nuk duhet të jesh prestigjator që, vetëm duke parë foton e fëmijërisë së dikujt, të përcaktosh sa vjeç është pak a shumë. Sepse ato e tregojnë kohën me ngjyrat ose mungesën e tyre, me variantin print apo dixhital, me vazon e lules së shqiponjës, apo me një letër me dizenjo në sfondin e studios, apo me braktisjen fare të studiove siç ndodhi pastaj. Mirëpo tani janë rikthyer fotot e fëmijëve të realizuara nga një profesionist, në studio apo jashtë saj. Sigurisht nuk është më shqiponja dhe as letra tipike. Asgjë nuk është si më parë. Bëhet fjalë për një sipërmarrje të vërtetë, për dekore, tema, orë të tëra për të realizuar një shërbim fotografik me të voglin. Soela Zani, është një nga ato fotografe që në studion e saj “Shkruaj me dritë” fotografon prej vitesh bebe dhe fëmijë dhe e ka parë me syrin e saj të fshehur pas aparatit, si është krijuar dhe rritur ky trend. “Prindërit janë më të kujdesshëm për t’u lënë kujtime të bukura fëmijëve të tyre. Pavarësisht se ata tashmë kanë në dorë aparate fotografike mjaft cilësore, kërkojnë që fëmija i tyre të fotografohet nga një profesionist. Kjo i jep më shumë vlerë kohës që ikën bashkë me fëmijërinë e bebit.”

Ajo vetë është gjendur pothuajse rastësisht përballë bebeve, kur pas një përvoje 6-vjeçare si fotoreportere dhe fotoeditore, nisi të punonte e pavarur. “Në dhjetor të vitit 2007 bashkë me familjen hapa një studio fotografie. Në atë kohë u shkëputa nga mediat dhe u përqendrova në studio. Fillimisht nuk kisha diçka të qartë në kokë, thjesht bëja atë që më pëlqente. Pastaj nisën kërkesat për të fotografuar femijë. Fillimisht nga mikeshat e mia të cilat po bëheshin nëna njëra pas tjetrës :) ... Dhe kështu filloi.” Dhe nuk është çudi që shumë shpejt u dashurua me subjektet që fotografon! “Fëmijët janë magji, sidomos të sapolindurit. Seç kanë një transparencë, një dritë të veçantë. Pa le shprehjet e fytyrës. I adhuroj. Të preferuarit e mi janë të sapolindurit.” Vetëm se, ndryshe nga të rriturit, ato shprehjet e fytyrës nuk mund të komandohen dhe prandaj fotografja është tërë kohës e mobilizuar për të kapur një mimikë, një hapje goje, një qeshje sysh e një lëvizje dore. “Të fotografosh një fëmijë është shumë bukur, ama duhet të jesh gati gjithmonë të kapësh momentin që ai do të të dhurojë, ndryshe nga të rriturit të cilët edhe mund t’i instruktosh, por të cilët nuk e kanë kurrë spontanitetin e fëmijëve. Të fotografosh fëmijë është si të jesh në gjueti. Duhet të jesh gjithmonë gati pasi fëmijët janë të paparashikueshëm. Gjithashtu, edhe mosha e bebit të dikton për dinamikën e setit fotografik.” Periudhat më të përshtatshme të fotografimit sipas Soelës janë : i sapolindur (nga 0 deri në 10 ditët e para të jetës), 3 muajsh 6 deri në 9 muajsh (në këtë fazë bebi duhet të rrijë vetë i ulur pa ndihmën e dorës së prindërve), 1 vjeç edhe “gjithmonë, sepse një fëmijë është gjithmonë i bukur ...”Edhe atëherë kur qan madje. Sepse sigurisht, që ka dhe raste të tilla. Ke të bësh me fëmijë dhe rregullat i vendosin vetëm ata dhe kjo e bën punën e Soelës edhe një aventurë. “Duhet të jeni në studio të shikoni se çfarë cirku bëhet pas krahëve të mia ndërkohë që shkrep, vetëm e vetëm për të përfituar ndonjë buzëqeshje ...Ka nga ata bebusha të cilët nuk i kursejnë të qeshurat, por edhe ata mes lotëve, përsëri duken shumë të bukur. Pjesa e tortës (në rastet e Cake - Smash) kur fëmija bëhet 1 vjeç, pastaj, sjell shumë humor pasi shikojmë live spektaklin me një bebe që shkatërron totalisht një tortë të tërë ... Imagjinoni si është “katandisur” në fund të setit fotografik bebi dhe mamaja e tij :) ...”
Torta e një vjetorit është vetëm një nga elementët që marrin pjesë në shërbime fotografike. Shumë herë të tjera, Soela mendon për të ndërtuar një dekor tematik. Në të vërtetë, për një vajzë që ka studiuar si në Lice dhe në Akademinë e Arteve Skeografi dhe Kostumografi, kjo është, po aq sa pasioni për foton, shumë e natyrshme. “Shpesh më duhet të ndërtoj një miniskenë me një minifabul brenda dhe ndihem në fushën time. Ajo që më shqetëson pak është se jo gjithmonë gjej materialet që dua për sfondet dhe rekuzitën, kështu që shpesh herë më duhet të shkoj në Itali apo Greqi për të pasuruar studion me objekte të reja.” Dhe nëse idetë ndonjëherë duket sikur kanë shteruar, natyra është një aleate që nuk e lë në baltë Stinët janë ato që e orientojnë. I përshtatet temave të skenave sipas stinëve. Po ashtu edhe festat e ndryshme përgjatë vitit. Ndërsa për sa i përket vendit, studio apo natyre ia lë në dorë ta zgjedhin vetë klientët... “Për mua janë të bukura që të dyja”.
Dhe me një fëmijë në qendër, rezultati është maksimal, sepse si thotë Soela, asgjë nuk është më e bukur se fëmijët!






















Hera Company
Një vajzë e vogël me emrin Hera dhe një pasion i madh për fotografinë kanë krjiuar Hera Company, një studio fotografie e hapur nga Rezarta Shkurta kushtuar veccanërisht fëmijëve dhe mamave të tyre, që nga shtatzania e më tej





Çomo Photography
Një studio me një emër që tingëllon si shqiptar dhe i huaj, si familja e fotografit Ardit Çomo që është martuar me një japoneze dhe ka tre djem të vegjël e të bukur sa s’ka, portretet e të cilëve shfaqen shpesh në faqen e kësaj studioje fotografie kushtuar fëmijëve.



